E Hënë, 2 Nëntor 2026

TEHERAN – Irani ndalon furnizimet me gaz në Irak

TEHERAN, 23 dhjetor /ATSH-DPA/- Irani ka ndaluar furnizimet me gaz në Irak, njoftoi sot Ministria e Energjisë në Bagdad, një veprim që pritet të përkeqësojë ndjeshëm furnizimin me energji tashmë të brishtë të vendit.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve irakiane INA, kjo do të thotë se rrjeti i gazit i vendit do të humbasë 4,000 deri në 4,500 megavat kapacitet gjenerimi.

Autoritetet iraniane informuan ministrinë në Bagdad për vendimin përmes një njoftimi me shkrim, duke përmendur si justifikim “rrethanat e paparashikueshme”.

Qeveria irakiane tha se ishte konsultuar me Ministrinë e Naftës për të zbatuar “masa alternative” për të minimizuar ndërprerjet në centrale.

Importet mbulojnë rreth një të tretën e konsumit kombëtar të energjisë elektrike në Irak.

Në vitet e fundit, Teherani ka ulur vazhdimisht furnizimet me gaz për të përmbushur kërkesën e brendshme, në rritje.

Shumica e eksporteve të naftës së Iranit aktualisht dërgohen në Kinë.

Pavarësisht se mban disa nga rezervat më të mëdha të naftës dhe gazit në botë, Irani po përballet me një krizë të rëndë energjetike.

Vëzhguesit ia atribuojnë krizën sanksioneve ndërkombëtare, mungesës së investimeve në infrastrukturë, korrupsionit dhe keqmenaxhimit afatgjatë.

Ndërkohë, Iraku vazhdon të vuajë nga mungesa e energjisë elektrike pas disa dekadash lufte dhe konflikti, me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike, veçanërisht në verë.

Në vitin 2019, ashtu si në vitet e mëparshme, kjo çoi në protesta masive në të cilat u vranë qindra njerëz dhe u plagosën mijëra të tjerë.

Ndërprerja e furnizimeve me gaz iranian ka ngritur shqetësime se trazira të ngjashme mund të shpërthejnë sërish nëse mungesat e energjisë përkeqësohen në javët e ardhshme. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›