E Martë, 3 Nëntor 2026

Efektivët në Korçë shpëtojnë të moshuarin nga zjarri, Proda: Misioni i Policisë në mbrojtje të jetës

TIRANË, 22 korrik/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda falënderoi sot punonjësit e Patrullës së Përgjithshme në DVP Korçë, të cilët rrezikuan jetën duke u futur mes flakëve dhe shpëtuan një të moshuar që ishte rrethuar nga zjarri dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej, në një lagje periferike të Korçës.

Në një mesazh falënderimi, Proda vlerësoi këtë akt fisnik, që sipas tij, “tregon më së miri se të jesh pjesë e Policisë së Shtetit është shumë më tepër se një detyrë, është një mision i shenjtë në mbrojtje të jetës”.

“Të nderuar kolegë, Laura Leka, Aurel Jesku dhe Klodian Dulellari. Ndihem thellësisht i emocionuar dhe krenar për guximin, sakrificën dhe humanizmin tuaj. Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe përkushtimi, rrezikuat jetën për të shpëtuar një qytetar të moshuar, i cili ishte rrethuar nga flakët dhe rrezikonte të asfiksohej e të digjej”, u shpreh Proda.

Proda siguroi se “shërbimi ndaj qytetarëve nuk është thjesht një përgjegjësi institucionale, por një thirrje e përditshme për të qenë pranë tyre, sidomos në momentet më të vështira”.

“Ju falënderoj nga zemra për shembullin e jashtëzakonshëm që dhatë dhe për nderin që i bëtë uniformës sonë. Krenar për ju dhe për të gjithë efektivët e Policisë që e nderojnë Policinë e Shtetit me veprime që frymëzojnë dhe rrisin besimin e qytetarëve tek Policia”, tha Proda.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›