E Martë, 3 Nëntor 2026

UASHINGTON – Trump: SHBA mund të sulmojë sërish vendet bërthamore të Iranit, nëse është e nevojshme

UASHINGTON, 22 korrik /ATSH/-  Do të sulmojmë sërish, nëse është e nevojshme, paralajmëroi presidenti i SHBA-së Donald Trump, pasi ministri i Jashtëm i Iranit tha se Teherani nuk do të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor, sipas Euronews.

Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të godasin sërish objektet bërthamore të Iranit nëse është e nevojshme.

Reagimi i Trump erdhi pasi ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha për “Fox News” se Teherani nuk mund të hiqte dorë nga programi i pasurimit bërthamor, edhe pse objektet bërthamore ishin dëmtuar nga bombardimet amerikane, muajin e kaluar.

“Programi është ndalur sepse dëmet janë të mëdha dhe të rënda. Por padyshim, ne nuk mund të heqim dorë nga pasurimi sepse është një arritje e shkencëtarëve tanë.Dhe tani, edhe më shumë, është çështje krenarie kombëtare”, tha Araghchi.

“Sigurisht që janë të dëmtuara, dhe ne do ta bëjmë sërish, nëse është e nevojshme”, tha Trump në platformën e tij “Truth Social” – duke iu referuar deklaratës së Araghchi.

Sulmet amerikane më 22 qershor goditën tre vende të pasurimit bërthamor iranian — Fordow, Natanz dhe Isfahan — gjatë konfliktit 12-ditor të Izraelit me Iranin.

Disa ditë pasi u njoftua një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, Trump pretendoi se sulmet e Uashingtonit kishin “shkatërruar plotësisht” vendet bërthamore të Iranit.

Megjithatë, pretendimi i Trump u vu në pikëpyetje kur një raport i mëvonshëm i inteligjencës amerikane zbuloi se programi bërthamor i Iranit ishte shtyrë vetëm disa muaj pas.

Shtëpia e Bardhë e kundërshtoi me vendosmëri vlerësimin, duke e quajtur atë “krejtësisht të gabuar”.

Pas paralajmërimit të Trump në media sociale – Irani njoftoi se do të zhvillonte bisedime të reja të premten me vendet evropiane mbi programin e tij bërthamor.

Takimi në Stamboll do të jetë i pari që nga arritja e armëpushimit Izrael-Iran në fund të muajit të kaluar dhe vjen pas diskutimeve të ngjashme në qytetin turk, në maj.

Bisedimet do të përfshijnë zyrtarë nga Irani, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania – të njohura si vendet E3 – dhe shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.

“Tema e bisedimeve është e qartë, heqja e sanksioneve dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor paqësor të Iranit”, tha dje zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.

Sipas një marrëveshjeje të vitit 2015 – të hartuar për të kufizuar aktivitetet bërthamore të Iranit – e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), Teherani ra dakord për kufizime të ashpra në programin e tij bërthamor – në këmbim të një lehtësimi të sanksioneve ndërkombëtare. //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›