E Diel, 1 Nëntor 2026

Egnatia barazon me Elbasanin, Flamurtari i merr tri pikë mbijetese Bylisit

TIRANË, 18 janar /ATSH/ U luajtën sot dy ndeshjet e para të Javës së 20-të të Superligës. Kryendeshja mes udhëheqësve të klasifikimit deri sot, ajo mes Egnatias dhe AF Elbasanit përfundoi me rezultatin 2-2.

Në ndeshjen e zhvilluar në “Arena Egnatia” në Rrogozhinë, elbasanasit shënuan në fillim me Loukilin në minutën e 35-të, ndërsa Lajthia në pjesën e dytë (50’) dyfishoi rezultatin.

Ekipi vendas reagon dhe gjen golin e parë me Fernandon me penallti (63′) dhe më pas golin e barazimit po me penallti me të njëjtin autor.

Me këtë barazim Egnatian vazhdon në krye të Superiores me 38 pikë, e ndjekur nga AF Elbasani me 35 pikë.

Në takimin tjetër Flamurtari fitoi përballë Bylisit me rezultatin 3-0. Golat u shënuan nga Urbaez 29’, Herald Marku 49’, me një supergol dhe Maksuti në minutën e 64-t.

Me këtë fitore Flamurtari barazohet me pikë me Bylisin, nga 18.

Të hënën (nesër) luhen tri ndeshjet e tjera të Javës së 20-të: Në orën 13:30, Vora pret Tiranën. Në orën 17:00, në “Arenën e Demave”, Partizani do të përballet me Teutën. Java e 20-të do të mbyllet me sfidën e “Air Albania”, ku Dinamo City do të përballet me Vllazninë në orën 19:30.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›