E Diel, 1 Nëntor 2026

Ernest Muçi i pandalshëm, tjetër gol vendimtar për Trabzonspor

TIRANË, 18 janar /ATSH/ Sulmuesi kuqezi Ernest Muçi është i pandalshëm në kampionatin turk, duke shënuar një tjetër gol vendimtar për Trabzonsporin, me vlerën e tri pikëve.

Në ndeshjen e radhës në kampionat në transfertën ndaj Kocaelispor, megjithë masat e marra për të shmangur një gol prej tij, skuadra vendase dështoi në limit të ndeshjes. Trajneri vendas kishte premtuar se do bënte maksimumin që ekipi i tij ta ndalte Muçin. Por sulmuesi gjeti rrjetën në shtesën e takimit (91′) pas një gjuajtjeje të fortë në kufijtë e zonës së rreptësisë, për t’i dhënë suksesin 2-1 ekipit të tij.

Një gol që shërben për të treguar se çfarë forme të shkëlqyer po kalon, pas një serie mbresëlënëse në 10 ndeshjet e fundit që e bëjnë këtë pa dyshim momentin më të mirë të karrierës së tij.

Në 10 ndeshjet e fundit zyrtare të Muçit, mes kampionatit, Kupës dhe Superkupës në Turqi, ai ka koleksionuar plot 10 gola e 2 asiste. Janë 8 gola në kampionat dhe një asist në këtë turne, ndërsa 2 gola dhe një asist janë edhe në Kupën e Turqisë.

Shifra mbresëlënëse në një periudhë kohe thuajse dymujore që do t’i kishte zili cilido sulmues, gjë që e kanë bërë Muçin aktualisht si një nga protagonistët kryesorë të futbollit në Turqi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›