E Hënë, 2 Nëntor 2026

Egnatia i bashkohet Vllaznisë në krye të klasifikimit të Superiores, Teuta mund Bylisin

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Egnatia ngjitet në krye të klasifikimit të Kategorisë Superiore të futbollit. Skuadra rrogozhinase ka mundur me rezultatin 1-0 Vorën në transfertë dhe është ngjitur në vendin e parë të renditjes, me pikë të barabarta me Vllazninë.

Sfida e zhvilluar në Vorë, pasditen e së dielës, ishte e vlefshme për javën e gjashtë të kampionatit. Rrogozhinasit morën fitoren minimale 1-0 falë golit të Flamur Rucit në minutën e 17-të të pjesës së parë. Ndeshja dhuroi mjaft emocione, ndërsa vendasit ndërtuan disa aksione të rrezikshme, por pa arritur të barazonin shifrat.

Me këtë humbje, Vora mbetet në mesin e tabelës, në vendin e gjashtë me shtatë pikë. Ndërkohë, skuadra kampione e vendit, duke përfituar edhe nga humbja e Elbasanit në Shkodër, ngjitet në krye të klasifikimit për herë të parë këtë sezon, duke ndarë vendin e parë me Vllazninë.

Java e gjashtë e Superiores u mbyll me ndeshjen e pasdites mes Teutës dhe Bylisit, ku “djemtë e detit” u imponuan me rezultatin 1-0. Pas një pjese të parë të mbyllur pa gola, vendasit gjetën golin e epërsisë në minutën e 62-të me anë të Daniel Wotlia.

Me këtë fitore, Teuta ngjitet në vendin e katërt me 10 pikë, po aq sa Dinamo City, ndërsa Bylis mbetet në vendin e shtatë me gjashtë pikë.

Superliga, Rezultatet e javës së gjashtë:
Partizani – Tirana 0-3
Dinao City- Flamurtari 2-0
Vllaznia – Elbasani 1-0
Vora-Egnatia 0-1
Teuta Bylisi 1-0

Klasifikimi:  Vllaznia 13 pikë, Egnatia 13, Elbasani 11 pikë, Dinamo City 10, Teuta 10, Vora 7, Bylisi 6, Tirana 5, Partizani 4, Flamurtari 2

Programi i javës së shtatë të Superligës
Elbasani-Vora
Flamurtari-Partizani
Bylis-Vllaznia
Egnatia-Dinamo City
Tirana-Teuta

/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›