E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Wine & Stories” në Berat, Salla: Çdo shije lidhet me mjeshtërinë e kantinave

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Berati u kthye sërish në kryeqytetin e verës shqiptare me edicionin e katërt të festivalit “Wine & Stories of Berat”, një ngjarje që bashkon traditën, kulturën dhe shijen unike të verërave shqiptare.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, bëri të ditur se ky tur i veçantë në kuadër të festivalit ofroi një përjetim të paharrueshëm, ku çdo gotë verë tregoi një histori dhe çdo shije lidhej me mjeshtërinë e kantinave që kthejnë rrushin e Roshnikut në verë me identitet.

“Tur i paharrueshëm në “Wine & Stories”, Berat, ku çdo gotë tregon një rrëfim dhe çdo shije lidhet me mjeshtërinë e kantinave që kthejnë rrushin e Roshnikut në verë me identitet. Agroturizma që me mikpritjen e tyre të ngrohtë, muzikë tradicionale dhe vizita në fabrikën e fiqve e shndërruan këtë udhëtim në një përjetim plot ndjesi me identitet shqiptar”, u shpreh ministri Salla.

Atmosfera u pasurua me muzikë tradicionale, mikpritje të ngrohtë dhe vizita në agroturizma e fabrika vendase, mes tyre edhe në fabrikën e fiqve, duke e bërë këtë ngjarje një udhëtim të plotë me aromë dhe ndjesi shqiptare.

Në këtë edicion morën pjesë mbi 50 kantina nga Shqipëria, Kosova dhe komunitetet arbëreshe të Kalabrisë, ndërsa u shpallën 39 çmime në tri kategori: “Rose Wines”, “White Wines” dhe “Red Wines”.

Festivali “Wine & Stories of Berat” organizohet me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe synon të promovojë potencialin agroturistik të qarkut të Beratit dhe të nxisë zhvillimin rural përmes vlerësimit të produkteve lokale. /j.p/

1 nga 24

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›