“Egnatia, rival që mund të na vendosë në siklet”, trajneri i Craiovas: Jemi gati

Fokusi i Universitateas së Krajovës është te sfida me Egnatian, ndërsa trajneri Filipe Coelho ka zbuluar qëndrimin e tij për këtë përballje gjatë konferencës për shtyp, në prag të ndeshjes së vlefshme për Conference League.
“Është një tjetër ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme për ne, përballë një kundërshtari shumë të fortë. Egnatia nuk është një surprizë, por një skuadër shumë cilësore, të cilën e kemi analizuar edhe ne. Në këtë fazë të kompeticionit, çdo pikë ka rëndësi. Nesër në mbrëmje duhet të paraqitemi në një nivel të lartë, pasi detajet do të bëjnë diferencën në këtë përballje. Shpresoj që tifozët në stadium të jenë të entuziazmuar dhe të na mbështesin.
Nuk kemi fituar ende dhe nuk më pëlqen të flas përpara se gjërat të ndodhin. Fillimisht duhet të shohim nëse e meritojmë fitoren dhe më pas do të vlerësojmë se ku ndodhemi. Për momentin, ndeshja nuk është luajtur ende dhe nuk mund të flas për kualifikimin në fazën e pranverës europiane.
Kanë lojtarë interesantë, veçanërisht në repartin ofensiv. Janë futbollistë të shpejtë, të cilët mund të krijojnë probleme për kundërshtarin. Në ndeshjet e fundit kanë preferuar skemën 4-4-2, por kanë luajtur edhe me pesë mbrojtës. Janë një skuadër që nuk lë shumë hapësira dhe kapiteni i tyre zbret vazhdimisht në linjën me pesë mbrojtës. Luajnë me agresivitet dhe pres që nesër në mbrëmje të jetë një ndeshje e ekuilibruar, ku ne duhet të paraqitemi në një nivel të mirë.
Nuk më kujtohet nëse kemi pasur më parë një ecuri të tillë, por mund t’ju them se jam shumë krenar për lojtarët e mi. Nuk është e lehtë të luash me një kalendar kaq të ngjeshur. Ata japin gjithçka në çdo ndeshje dhe nuk mund të jem veçse krenar për ta.
E kaluara i përket së shkuarës, tani duhet të përqendrohemi te e tashmja dhe shpresoj të fitojmë tri pikët. Nuk mund t’ju tregoj se si do ta qas ndeshjen taktikisht. Do të jem i sinqertë me ju, ne e përgatisim gjithmonë çdo ndeshje duke u bazuar në disa aspekte taktike.
Një gjë është e sigurt: gjatë ndeshjes planet mund të ndryshojnë. Për mua është shumë e rëndësishme që gjatë 90 minutave do të ketë ndryshime në lojë. Nesër duhet të tregojmë ambicie të madhe dhe, si gjithmonë, të japim gjithçka për të marrë tri pikët.
Dua të falënderoj tifozët për gjithçka që kanë bërë për ne deri në këtë moment. Dua të theksoj edhe një gjë: jo vetëm kur luajmë në shtëpi, por edhe në transfertë, ne i dëgjojmë gjithmonë këngët e tyre. Është e qartë se nesër në mbrëmje kemi shumë nevojë për mbështetjen e tifozëve tanë. Ata do të na ndihmojnë, por edhe ne duhet të bëjmë detyrën tonë në fushën e lojës”.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb