E Enjte, 5 Nëntor 2026

Çmenduri në Brazil, arbitri nxjerr 51 kartonë të kuq pas sherrit masiv në fushë

Një ndeshje gjysmëfinale e kampionatit U20 në Brazil ka përfunduar në një kaos të vërtetë, duke regjistruar një shifër të pabesueshme prej 51 kartonësh të kuq. Sfida mes Uberlandias dhe Mamores u shndërrua në një përleshje masive në minutat shtesë, ku përveç futbollistëve u përfshinë edhe pjesëtarë të stafit teknik të të dyja skuadrave.

Gjithçka nisi pas golit të tretë të shënuar nga Mamore. Gjatë festimit, një prej lojtarëve të skuadrës mike iu afrua pankinës së kundërshtarëve, veprim që shkaktoi reagimin e futbollistëve vendas. Situata u përshkallëzua brenda pak sekondash, duke kaluar në përplasje fizike mes lojtarëve dhe anëtarëve të stafit.

Në fushë u krijua një situatë e pakontrollueshme, ndërsa gjatë përleshjes u hodhën edhe objekte të ndryshme në drejtim të personave të përfshirë. Për shkak të kaosit, arbitri nuk mundi të administronte kartonët e kuq në momentin e incidentit, ndaj ndëshkimet u pasqyruan më vonë në raportin zyrtar të ndeshjes.

Bilanci ishte i jashtëzakonshëm: 43 futbollistë dhe 8 pjesëtarë të stafit teknik u ndëshkuan me karton të kuq, duke e çuar numrin total të përjashtimeve në 51.

Reklamë

Kjo shifër tejkalon rekordin e mëparshëm prej 36 kartonësh të kuq në një ndeshje, të regjistruar në Librin e Rekordeve Guinness.

Kështu, një përballje që duhej të përcaktonte finalistin e kampionatit U20 në Brazil përfundoi në një prej episodeve më kaotike të regjistruara në futboll, duke lënë në hije vetë rezultatin sportiv.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›