E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekskluzive “Në kohë reale”- Nertila Haxhia: Jemi të shokuar, nuk kemi pasur hasmëri me familjen e viktimës, Ardian Nikulaj

Pas ngjarjes së rëndë të vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në lokalitetin e tij në Shëngjin, detaje të reja lidhur me pozicionin e të akuzuarit si porositës, Edmond Haxhia, vijnë nga familjarët dhe avokati i tij.

Nertila Haxhia, vajza e xhaxhait të Edmond Haxhisë, ka folur ekskluzivisht në emisionin “Në kohë reale” në RTSH, duke shprehur habinë e familjes lidhur me motivin e akuzuar.

“Në gjyq isha thirrur në cilësinë e familjares së Edmond Haxhisë. Është djali xhaxhait tim. Duhet të kesh një shkak për të porositur vrasjen. Kur dëgjojmë zyrtarisht se është porositës dhe financues i vrasjes për gjakmarrje, ne kemi mbetur të shokuar,” tha Haxhija. Ajo theksoi se me familjen Nikulaj nuk kanë pasur kurrë ndonjë konflikt apo hasmëri.

Haxhija ngriti gjithashtu shqetësimin se deklaratat e institucioneve kanë nxitur rrezikun e hakmarrjes ndaj familjes së saj. Sipas saj, Policia ka refuzuar të takojë familjarët e kërcënuar, ndërsa babait dhe vëllait të saj nuk iu është dhënë urdhër mbrojtje, pavarësisht mesazheve kërcënuese.

Më tej, ajo bëri me dije se në kërkesën e prokurorisë për ekstradim drejt Britanisë, akuza për gjakmarrje ndaj Edmondit është hequr.

Pozicioni i të akuzuarit dhe procesi i ekstradimit

Nga ana e tij, avokati Kujtim Cakrani konfirmoi se klienti i tij, Edmond Haxhia, është i habitur me akuzat dhe deklaron se nuk e njeh viktimën. “Porositësi ka një arsye të caktuar se përse e ka vrarë Nikulajn. Prokuroria po çon në hakmarrje mes fiseve Haxhia dhe Nikulaj,” theksoi Cakrani, duke sugjeruar se mungojnë ekspertime thelbësore.

Cakrani zbuloi se Gjykatësi britanik, gjatë procesit të ekstradimit, ka qenë i qartë për motivin e pretenduar: “ka pyetur se ku është gjakmarrja? Ka thënë s’dua ta dëgjoj këtë fjalë.” Procesi aktualisht ndodhet në fazën e dëshmive dhe vlerësimit të provave.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›