Stabilizim-Asociimi Shqipëri–BE, Schieder: Shqipëria, pararojë e proceseve të integrimit evropian

Në Tiranë po zhvillohet takimi i 20-të i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Shqipëri–Bashkimi Evropian, një forum i përbashkët mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit Evropian që vlerëson ecurinë e reformave dhe procesin e negociatave për anëtarësim në BE.
Gjatë këtij takimi, u theksua progresi i dukshëm që ka bërë Shqipëria në rrugën e integrimit evropian, duke u cilësuar si një shembull pozitiv në rajon.
Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Andreas Schieder, në fjalën e tij u shpreh se “e njoh Shqipërinë prej një kohe shumë të gjatë dhe kam parë shumë zhvillime që kanë ndodhur në këtë vend”, duke shtuar se “kur flasim për proceset që do të na udhëheqin në të ardhmen, duhet të vlerësojmë të gjithë progresin që ka bërë deri tani”.
Ai vuri në dukje se vendi ka njohur zhvillime të mëdha vetëm në pak vite, por sipas tij “integrimi ka të bëjë me të gjitha zhvillimet që ndodhin në të gjithë vendin”.
Duke e cilësuar Shqipërinë si një vend pararojë në proceset e integrimit, Schieder rikujtoi se “Komisioni Europian e ka quajtur Shqipërinë një pararojë të proceseve dhe kjo është e vërtetë”. Ai theksoi se përmirësimet në standardin e jetesës dhe zhvillimi janë të dukshme “në çdo cep të Tiranës e më gjerë”, por paralajmëroi se integrimi nuk është thjesht një çështje teknike apo politike. “Zgjerimi evropian nuk ka të bëjë vetëm me politikën, por me jetën e përditshme të qytetarëve”, tha ai, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit konkret të kapitujve negociues.
Schieder solli në vëmendje përvojën e vendeve si Austria, Suedia dhe Finlanda, duke theksuar se edhe pse rruga drejt BE-së mund të duket e gjatë, ajo është thellësisht transformuese për shoqëritë që e përqafojnë.
“Integrimi është një proces që forcon demokracinë, shoqërinë civile dhe mirëqenien e qytetarëve”, u shpreh ai, duke shtuar se Shqipëria po ecën në këtë drejtim dhe duhet të vazhdojë me të njëjtin përkushtim.
Në fund, ai kujtoi se raporti i tij për Shqipërinë, i paraqitur në gjysmën e parë të vitit në Parlamentin Evropian dhe i miratuar me shumicë të gjerë votash, pasqyron jo vetëm punën e tij si raportues, por “rezultatin e situatës reale në Shqipëri dhe të progresit që vendi ka arritur”
/rtsh.al/