E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekspertët “pro” reduktimit: Reforma e nevojshme, gjysma e bashkive nuk përmbushin standardet e performancës

Reforma territoriale kërkon ndërhyrje urgjente, deklarojnë ekspertët për mikrofonin e RTSH, pasi gjysma e bashkive nuk arrijnë të përmbushin standardet e performancës, ndërsa disa njësi administrative konsumojnë burime pa prodhuar rezultate konkrete.

“50 për qind e 61 bashkive nuk e kalojnë klasën sa i përket performancës në sektorë të ndryshëm. Shqipëria ka nevojë të mbajë 65 bashki që ka pasur dikur dhe e gjithë kjo gjë duhet të rishikojë pozicionin e njësive administrative apo ish-komunave”, tha Agron Haxhimali, ekspert i çështjeve të pushtetit vendor.

“Përqendrimi shumë i madh i bashkive që e ka pasur deri më tani Partia Socialiste ka rezultuar me problematika shumë të mëdha sa i përket shërbimeve. Për shkak të ndryshimeve demografike kërkohen më shumë komuna”, tha Ben Andoni, analist.

Propozimi i palëve politike për rikthimin e disa rajoneve shihet nga ekspertët si një hap potencialisht pozitiv, nëse shoqërohet me analizë të thelluar dhe kritere të qarta funksionimi.

“Shqipëria ka nevojë të ketë vetëm tre rajone administrative. Nëse vendoset të mbahen, është përgjegjësi e politikës dhe e ligjvënësit të përcaktojë se ku do të shkojnë burimet dhe si do të organizohen”, tha Haxhimali.

“Rajonet kanë mundësi që, ndryshe nga fondet që marrin nga pushteti qendror, nëse krijohen, të aplikojnë direkt për fonde në Bashkimin Evropian. Dhe kjo në një farë mënyre krijon një lloj autonomie”, tha Andoni.

Ekspertët u bëjnë thirrje palëve politike të bashkëpunojnë për realizimin në kohë të ndryshimeve të nevojshme, me qëllim përmirësimin e shërbimeve dhe rritjen e cilësisë së qeverisjes vendore për qytetarët.

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›