Ekspozita për Kadarenë sjell në Prishtinë lidhjen e shkrimtarit me Kosovën

Ekspozita është organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shtëpia Studio Kadare – Bashkia Tiranë. Në ceremoninë e hapjes, zëvendësministrja e parë e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, vlerësoi rolin e shkrimtarit në mbështetjen e çështjes së Kosovës.
“Për ne në Kosovë, Kadareja ishte më shumë se një shkrimtar i madh. Ai vuri autoritetin dhe famën e tij në funksion të çlirimit të Kosovës dhe ndaljes së politikave diskriminuese ndaj shqiptarëve. Veprat e tij na shoqëruan në vite të vështira dhe na kujtuan se fjala mund të jetë rezistencë, kujtesë dhe shpresë”, tha Nora Arapi-Krasniqi, Zëvendësministre e Kulturës
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, theksoi se Kadare arriti të përfaqësojë letërsinë shqipe në arenën ndërkombëtare, duke ruajtur një lidhje të fortë me rrënjët dhe identitetin shqiptar.
“Përmes fuqisë së fjalës, ai e bëri gjuhën shqipe pjesë të letërsisë së madhe botërore dhe përvojën historike të shqiptarëve pjesë të kujtesës universale. Ai i dha letërsisë sonë një jehonë ndërkombëtare të jashtëzakonshme, duke mbetur thellësisht i lidhur me rrënjët, identitetin dhe historinë tonë”, theksoi Petrit Malaj, Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë
Drejtoresha e Përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, vlerësoi krijimtarinë e Kadaresë, duke e cilësuar pjesë të kategorisë së rrallë të shkrimtarëve që ndërtojnë një univers të tërë letrar përmes veprës së tyre.
Ekspozita sjell dokumente dhe materiale që pasqyrojnë krijimtarinë e Ismail Kadaresë, lidhjen e tij me Kosovën dhe angazhimin intelektual në periudha të rëndësishme të historisë shqiptare.
Lajme të Sugjeruara