Ekstradohen në Itali, 3 pjesëtarë organizatash kriminale

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Tre pjesëtarë organizatash kriminale janë ekstraduar në Itali.
Policia njoftoi sot se “në vijim të bashkëpunimit solid ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës, u finalizuan në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar, të koduar “The Wanted”, procedurat për ekstradimin nga Shqipëria, në Itali, të shtetasve shqiptarë, të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të Italisë”.
Konkretisht sipas policisë u ekstraduan “E. D., 40 vjeç, pasi akuzohet nga Gjykata e Breshias, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale;
“E. Zh., 41 vjeç, pasi akuzohet nga Gjykata e Breshias, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale;
“K. N., 33 vjeç, pasi akuzohet nga Gjykata e Milanos, për veprën penale “Vjedhja në rrethana rënduese”, kryer në kuadër të organizatës kriminale”.
/a.f/