Ekstradohet nga Belgjika, merr fund arratia e Leonard Dukës, i kërkuar ndërkombëtarisht për vrasje

Ka marrë fund arratia ndërkombëtare e Leonard Dukës, një ndër më të kërkuarit në Shqipëri, por edhe në Evropë. Ai akuzohet për një seri ngjarjesh të rënda kriminale në Shqipëri, ku në krye të listës janë vrasjet e kryera prej tij dhe bandës që drejtonte.
Interpol Tirana bëri të ditur se e kryer ekstradimin nga Belgjika në Shqipëri në bashkëpunim me Interpolin e Brukselit dhe me strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.
“Leonard Duka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasi Leonard Duka dhe 6 shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi Santiago Malko. Gjithashtu, shtetasi Leonard Duka në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasve Ervis Martinajt, Erigers Mihasi dhe të anëtarëve të tjerë të grupit të tyre” informoi sot Policia e Shtetit.
Duka ka një listë të gjatë krimesh për të cilat akuzohet. Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Sigurimi i kushteve për vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Duka dhe 6 shtetas të tjerë janë autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur në vitin 2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, ku mbeti i vrarë me armë zjarri, shtetasi Santiago Malko.
Në kuadër të operacionit “Revanshi”, përmes të cilit u zbardhën disa ngjarje kriminale me ndihmën e komunikimeve të dekoduara në aplikacionin “SkyECC”, në dosje thuhet se Leonard Duka bashkëpunoi me Durim Bamin dhe Endrit Doklen për të eliminuar Ervis Martinajn, atentat që mbeti vetëm në tentativë, derisa mbreti i lojërave të fati u zhduk në gusht 2022 pa lënë gjurmë.
Në të njëjtën dosje është një komunikim i zhvilluar mes rivalëve të botës së krimit, të cilët më herët kishin qenë miq. Pas vrasjes së Malkos, Martinaj i shkruan Dukës se nuk e vriste dot dhe e akuzon direkt se kishte vrarë Malkon, pasi Martinaj goditi babanë e Leonardit. Në bisedat e tyre bie në sy edhe e tentativa e mbylljes së hesapeve nga të dyja palët.
Për vrasjen e Santiago Malkos, me vendim të formës së prerë, Gjykata e Posaçme e Apelit dënoi me 25 vjet burg Blendi Tetën, 28 vjet për Ilir Selmanin dhe prishje të dënimit 7 vjet burg të shkallës së parë për Elvis Gacaj dhe dërgimin e çështjes në ngarkim të tij në Gjykatën e Tiranës.
Nga ana tjetër, Duka akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka planifikuar vrasjen e shtetasit Ervis Martinaj dhe anëtarëve të tjerë të grupit të tij.
Kush është Leonard Duka?
Leonard Duka, sipas policisë, ka një karrierë të pasur kriminale, kryesisht në fushën e vrasjeve dhe të grupit te strukturuar kriminal. Ai njihet si kreu i ‘klanit Duka’, grup kriminal që ka pasur konflikte të vazhdueshme me grupin e Ervis Martinajt për pazare droge, në fushën e lotarive, si dhe të ndarjes së zonave të influencës, në trekëndëshin Tiranë–Durrës–Laç. Duka është arrestuar në vitin 2019 në kuadër të një operacioni për luftën kundër trafikut të drogës. Po ashtu ai ka qenë në kërkim për një atentat të dështuar.
Armiqësia e Dukës me Ervis Martinajn ka tërhequr më së shumti vëmendjen. Martinaj, i cili dyshohet se ka qenë një nga bosët më të mëdhenj të lojërave të fatit në Shqipëri, duke qarkulluar dhjetëra milionë euro si, dhe një investitor i madh në sektorin e ndërtimit, ishte kthyer ‘në gjahun’ më të shtrenjtë të rivalëve të tij.
Që nga viti 2019 ndaj tij janë planifikuar dhe tentuar disa atentate, por në të gjitha rastet ai ka mundur të shpëtojë.
Duka u arrestua më 14 shkurt 2023 në Belgjikë. Ai ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje dhe u prangos në një provincë të Brukselit. Operacioni për arrestimin e tij u zhvillua pas informacioneve të skuadrës policore “Fast Albania”, që kishin zbuluar se Duka fshihej në një banesë private.
/rtsh.al/