E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekutimi i Mondi Mëhallës, publikohen pamjet/ Sherr ortakësh apo pazare droge, ja pistat që po hetohen nga policia

Publikohen pamjet nga ekzekutimi në Elbasan i biznesmenit Mondi Mëhalla.

Siç duket edhe në video, autori del nga mjeti, me të cilin po qarkullonte dhe qëllon me pistoletë në drejtim të shënjestrës, duke e lënë të vdekur.

Ndërsa fotoja që shihni i përket personit të tretë të arrestuar, Nevzat Spaho, i cili ka dyshime se ishte bashkëpunëtorë i qitësit dhe grupit që kreu vrasjen e 43-vjeçarit.

Ndaj Spahos rëndojnë akuzat e:  vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim dhe armëmbajtje pa leje.

Arrestimi i tij e çon në tre numrin e personave të prangosur për këtë ngjarje, pas 32-vjeçarit Xhino Ago, ish-ortakut të Mëhallës dhe Kujtim Pishës, rojës së karburantit ku ndodhi ngjarja. Në kërkim janë Marsel Arani dhe Armando Kola.

Grupi hetimor po punon në disa pista për zbardhje e kësaj vrasjeje, e cila ndodhi në pronën e viktimës dhe me automjetin që kompania e tij kishte në pronësi, por dy janë pistat kryesore ku është fokusuar: Konfliktit të viktimës me autorët për biznes si dhe prishja e mundshme e pazareve të drogës.

Ngjarja e rëndë u shënua mbrëmjen e së dielës kur biznesmeni Mondi Mëhalla sapo doli nga një zyrë në karburantin e tij, hyri në automjetin tip “Range Rover” dhe u qëllua tri herë me plumba pistolete, dy prej të cilëve e kapën në kokë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Njëri nga autorët doli nga automjeti tip “Audi”, u afrua dhe e qëlloi. Dy autorët u larguan drejt Librazhdit, ku dogjën automjetin në fshatin Mirakë.

Brenda mjetit të djegur u gjet edhe një pistoletë Beretta e përdorur në krim.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›