Elbasan, avokati Barjami po hetohet në gjendje të lirë për tri vepra penale

TIRANË, 20 tetor /ATSH/ Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dha sot detaje lidhur me ndalimin e avokatit Ulian Barjami për veprimet e kryera prej tij gjatë seancës gjyqësore me objekt vleftësimin e arrestimeve në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurimit personal ndaj disa të arrestuarve.
Me anë të një deklarate për shtyp, Prokuroria e Elbasanit bën të ditur se, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan janë përcjellë materialet procedurale që lidhen me ndalimin e shtetasit Ulian Barjami, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kanosja për shkak të detyrës”, “Kanosja e gjyqtarit”, dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”.
Nga shqyrtimi i materialeve procedurale ka rezultuar se është marrë njoftim se në Sallën Nr. 1 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, gjatë seancës gjyqësore për “Vleftësimin e arrestimit në flagrancë dhe caktimin e masave të sigurisë ndaj 14 personave të arrestuar, avokati i njërit prej personave të arrestuar, konkretisht shtetasi Ulian Barjami, në cilësinë e mbrojtësit të personit nën hetim M.S., dyshohej se kishte kanosur në sallë, prokurorin e çështjes dhe punonjësit e policisë gjyqësore që kishin kryer veprime procedurale në lidhje me çështjen.
Pas marrjes së këtij informacioni, janë organizuar shërbimet dhe janë kryer veprimet e para hetimore.
Ndër të tjera, është administruar regjistrimi audio i seancës gjyqësore.
Mbi bazën e transkriptimit të përmbajtjes së komunikimeve të mësipërme, të shtrira në disa orë të zhvillimit të seancës gjyqësore, si dhe pas kryerjes së veprimeve të para procedurale, nga ana e policisë gjyqësore është proceduar me ndalimin e shtetasit U.B.
Pas administrimit të materialeve procedurale në prokurori, me qëllim kryerjen e hetimeve për të grumbulluar të dhëna të plota për përcaktimin e faktit, nga ana e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan është regjistruar procedimi penal për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës”, “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kundërshtimi dhe goditja e gjyqtarit”.
Ndërkohë, lidhur me ndalimin e shtetasit Ulian Barjami, nga ana e prokurorit të çështjes, është mbajtur qëndrimi se nuk ishin kushtet dhe nevojat për vijimin e këtij ndalimi dhe për kërkimin përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake të vleftësimit të tij apo caktimit të një mase sigurimi personal. Për rrjedhojë, si pasojë ligjore “ipso jure”, është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i të ndaluarit.
Prokuroria e Elbasanit thekson se, “profesionistët e drejtësisë, gjyqtarët, prokurorët, oficerët e policisë gjyqësore dhe avokatët janë shtyllat që mbajnë në këmbë sistemin e drejtësisë. Asnjëra prej tyre nuk mund të funksionojë duke cenuar pavarësinë apo sigurinë e tjetrës. Sistemi i drejtësisë kërkon bashkëpunim institucional, respekt reciprok dhe integritet profesional nga të gjitha hallkat e tij”.
“Qëndrimet publike të nxituara, të pabazuara në raportime zyrtare të institucioneve të përfshira, apo në vendimmarrje konkrete procedurale, apo qëndrimet që relativizojnë ose justifikojnë sjellje të kundërligjshme, dëmtojnë rëndë misionin e përbashkët për zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e drejtësisë. Prokuroria mbetet e vendosur të garantojë zbatimin e ligjit në mënyrë të barabartë për të gjithë, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe integritetit të çdo funksionari të drejtësisë, apo Policisë se Shtetit, përballë çdo forme presioni, intimidimi apo kërcënimi”, përfundon deklarata e Prokurorisë së Elbasanit.
/gj.m//a.f//r.e/