Elbasan, peng për disa orë kreu i PS dhe kryekomunari
***
Agim Leka ndodhej në Gjinar i shoqëruar nga kryetari i Komunës paraditen e djeshme për një takim me banorët dhe për të parë projektet e komunës për infrastrukturën. Pasi kanë zhvilluar takimet dhe kanë ngrënë drekë, Leka i ndjekur nga kryekomunari Hida janë nisur drejt automjetit për tu nisur në Elbasan. Në atë moment pesë persona zbresin nga një makinë dhe i kanë bllokuar rrugënautomjetit të kryetarit të komunës. Ata vendosin makinën e tyre në mes të rrugës dhe i kërcënojnë se nuk do t’i lejojnë të lëvizin. Debati ka vazhduar gjatë dhe kërcënimet e tyre kanë bërë që Agim Leka të njoftojë policinë. Vonesa e efektivave blu ka bërë që Agim Leka dhe Gani Hida të qëndrojnë për një periudhë të gjatë nën presion dhe nën kërcënimin e pesë personave, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur pasi deri rreth orës 21.30 policia nuk kishte mbërritur ende në qendër të Gjinarit. Dyshohet se kërcënuesit që nuk kanë qenë të armatosur dhe nuk kanë përdorur dhunë fizike kanë qenë të dehur pasidrekën e kishin konsumuar në një lokal të fshatit. Deri në orët e vona të mbrëmjes Hida e Leka kanë qenë të vetëm përballë tre personave të mbetur pasi janë larguar dy prej tyre.
***
Sipas policisë, konflikti ka lindur për motive banale dhe se për shkak të mungesës së armës dhe kërcënimeve fizike nuk mund të cilësohet si një pengmarrje. Një grup hetimor ka shoqëruar efektivat blu për të identifikuar dhe kapur autorët e kësaj ngjarjeje. Gjolek Prendi, shefi i komisariatit të Elbasanit ka pohuar dje për “Shekullin” se në 19.30 policia ka mbërritur në vendin e sinjalizuar por nuk ka gjetur asgjë. “Ne kemi shkuar aty por nuk kemi gjetur asnjë njeri që i mbante peng. Ata ishin në lokal tepër të qetë. Nga ana jonë është kërkuar që Agim Leka dhe Gani Hida të bëjnë një kallëzim penal që më pas ne të hetojmë çështjen”,- tha Prendi. Në orët e vona të natës Leka e Hida kanë qenë sërish të lirë.
***
Por vetë Agim Leka, ka deklaruar se kjo dhunë psikologjike dhe ky presion i bërë nga persona të papërgjegjshëm është ndjekur nga një indiferencë e strukturave të shtetit siç është policia. “Janë pesë persona nga Elbasanit që pasi kanë pirë këtu kanë vendosur të tregojnë forcën e tyre pasi nuk ka shpjegim tjetër ky veprim. Ata janë kontrabandistë lëndësh drusore por nuk ka asnjë lidhje me mua apo me Lekën pasi Komuna nuk ka në administrim pyjet. Ato janë në administrim nga ndërmarrja pyjore. Vetëm pasi ne lajmëruam policinë dhe madje dhe gazetarët, dy prej tyre u larguan ndërsa të tjerët vendosën të qëndrojnë dhe janë këtu përreth. Ndjehemi të kërcënuar dhe jemi në pritje të policisë”, thanë ata në komunikimin e fundit telefonik. Leka, figurë kryesor e PS për Elbasanin ka marrë pjesë në disa takime në komunën e Gjinarit, e fituar nga PDS në zgjedhjet vendore. Në këtë zonë është deputete Valentina Leskaj dhe konsiderohet si një bastion i së majtës.
Ora 17.00
Gani Hida, kryetar i komunës Gjinar e Agim Leka Sekretar Organizativ i PS për qarkun e Elbasanit kërcënohen nga pesë persona të paidentifikuar, të cilët i kanë kërkuar të mos lëvizin duke i bllokuar rrugën makinës
Ora 18.00
Pas debateve të vazhdueshme Hida e Leka lajmërojnë policinë e Elbasanit se ishin bllokuar nga disa persona të cilët i kishin kërcënuar se do t’i tërhiqnin zvarrë nëse ata do të largoheshin me makinë. Situata vazhdon
Ora 19.00
Policia po vonohej dhe “pengjet” lajmërojnë gazetarët se ndodhen të bllokuar dhe po hasin në indiferencën e policisë. Ndërkohë Komisariati i policisë bën të ditur se në drejtim të Gjinarit ishte nisur një grup i gatshëm
Ora 20.00
Kryekomunari Gani Hida thotë nëpërmjet telefonit se vazhdojnë të mbeten të bllokuar megjithëse dy nga pengmarrësit janë larguar. Ata komunikojnë me gazetarët duke i shpjeguar ngjarjen por policia nuk i ndihmon
Ora 21.00
Policia deklaron se kur ka shkuar aty nuk kemi gjetur asnjë njeri që i mbante peng. “Ata ishin në lokal. Nga ana jonë është kërkuar që Agim Leka dhe Gani Hida të bëjnë një kallëzim penal që më pas të hetojmë çështjen”