E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet me armë agjencia e valutës në Burrel

Spartak Nikolla dhe Gentian Sula kanë hapur me leva dyert e agjencisë por janë tradhtuar nga kamerat e sigurisë

BURREL- Ëndrra e dy të rinjve nga Burreli për tu bërë të pasur me anë të vjedhjeve është shuar brenda 30 minutash teksa ata kanë parë veten në prangat e policisë. Spartak Nikolla dhe Gentian Sula kanë arritur të hapin me një levë agjencinë e këmbimit valutor në qytetin e tyre dhe prej aty kanë marrë një milionë lekë të reja. Pas kësaj ata janë larguar me shpejtësi por pa kuptuar se fytyrat e tyre ishin fiksuar në kamerat e sigurisë të agjencisë, të cilat punonin edhe pse ajo ishte e mbyllur. Grabitja ka ndodhur në orën 15 e 30 minuta, në një kohë kur në qytetin e Burrelit pothuajse nuk kishte aspak lëvizje njerëzish.

Alarmi i agjencisë së këmbimit valutor ka bërë që ngjarjen ta marrë vesh i gjithë qyteti dhe policia. Në momentin që hetuesit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, grabitësit ishin larguar por menjëherë është bërë këqyrja e kasetave filmike. Një prej efektivëve të policisë nuk e ka pasur të vështirë të identifikojë dy grabitësit dhe u ka treguar menjëherë kolegëve të tij emrat e tyre. Ndërkohë hetuesit kanë arritur që të gjejnë edhe disa dëshmitarë okularë të ngjarjes. Ata kanë pohuar se dy të rinj kishin ndaluar makinën e tyre në afërsi të pikës së këmbimit të valutës në qendër të Burrelit. Ata kanë nxjerrë nga bagazhi disa leva dhe kanë arritur që të hapin derën dhe pak sekonda më pas ishin larguar me një çantë me para. Hetuesit kanë urdhëruar ngritjen e menjëhershme të patrullave në pikat dalëse të qytetit të Burrelit dhe pak minuta më pas një prej postblloqeve ka pikasur makinën e dy të rinjve. Ata i janë bindur urdhrit për të ndaluar dhe brenda makinës policia ka gjetur çantën me një milionë lekë të reja. Në këto kushte Spartak Nikollës dhe Gentian Sulës, të dy nga 19 vjeç, i janë hedhur prangat me akuzën e grabitjes me anë të thyerjes. Burimet zyrtare të policisë pohuan se dy të rinjtë janë kapur teksa po tentonin të largoheshin me makinë në drejtim të Tiranës së bashku me paratë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›