Elbasan, zjarrfikësit dhe emergjencat civile në terren për shuarjen e vatrave të zjarrit

TIRANË, 1 korrik /ATSH/ Prej disa orësh, qarku i Elbasanit po përballet me një situatë të rënduar nga zjarret. Në pak orë disa vatra zjarri kanë përfshirë ullishtën në pjesën veriperëndimore, pyllin me pisha në verilindje, një vatër pranë fshatit Samurr dhe së fundmi po përballet me një situatë të rëndë zjarri në landfill.
Bashkia Elbasan bën me dije se të gjithë ekipet e zjarrfikëseve të Elbasanit së bashku me mjetet, zjarrfikëset nga i gjithë qarku, emergjencat civile dhe vullnetarë po luftojnë me flakët.
Sipas njoftimit të bashkisë Elbasan, në pak minuta u vu nën kontroll zjarri në verilindje, pranë fshatit Mengël, ndërsa helikopterët e ushtrisë vazhdojnë të punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit në ullishten pranë fshatit Balëz.
“Temperaturat mbi 40 gradë sot në Elbasan dhe era e fortë favorizojnë flakët duke vështirësuar punën e ekipeve tona”, thuhet në njoftim.
Tashmë të gjitha forcat janë përqendruar për vënien nën kontroll të zjarrit në landfill, ku përveç qarkut po na vijnë në ndihmë edhe ekipet e Tiranës, Kamzës e Beratit.
Bashkia Elbasan u bën thirrje qytetarëve për kujdes. Në temperatura të tilla ekstreme çdo pakujdesi na kushton shumë.
Një pakujdesi e vogël mund të bëhet shkak për zjarr me pasoja të mëdha.
Bashkia Elbasan u bën thirrje autoriteteve ligjzbatuese të marrin masa në rastet kur ka zjarrvënie të qëllimshme.
/e.i//r.e//a.f/