E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasani, me një lojtar më pak barazon 2-2 në shtesë me Partizanin

TIRANË, 31 janar /ATSH/ Partizani ka barazuar me AF Elbasanin me rezultatin 2 me 2, në ndeshjen e vlefshme për Javën e 22-të të Superiores.

Ndeshja e zhvilluar pasditen e sotme në “Arenën e Demave” ka qenë e luftuar deri në minutën e fundit, ndonëse Elbasani luajti që nga minuta e 24-t me 10 futbollistë, pas daljes me karton të kuq të portierit Janaçek.

Ishte Lajthia që kaloi në epërsi ekipin mik në minutën e 21-të, pas një goditjeje me kokë para portës së vendasve.

Në minutën e 35-të Tsague humbi rastin më të mirë për elbasanasit për të dyfishuar shifrat. Por topi i gjuajtur nga pika e bardhë e penalltive fluturoi mbi traun e portës së Partizanit.

Dhe rregulli i pashkruar në futboll “po nuk shënove, do të pësosh”, i ndodhi Elbasanit. Ishte kapiteni vendas Skuka, i cili barazoi rezultatin në minutën e 41-të.

Në minutën e 65-të Sibide harkon nga e djathta e sulmit dhe Isgandarli dyfishoi shifrat për Partizanin.

Takimi pati edhe një episod jo të këndshëm, me momente paniku në fushën e lojës, pasi Sembene u rrëzua pa ndjenja në 85’. Ndeshja u ndërpre dhe u desh ndërhyrja e ambulancës.

Lajthia do të bëhej protagonist sërish, pasi në minutën e parë shtesë barazoi për verdhezinjtë, pas një topi të ardhur nga një goditje këndi dhe një rrëmuje në zonën e Partizanit.

Me këtë barazim Partizani ngjitet në kuotën e 27 pikëve, ndërsa AF Elbasani mbetet në vendin e tretë me 39 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›