Elbasani "përmbys" Laçin, Skënderbeu e Vllaznia ndahen në "paqe" - ATSH -
TIRANË, 1 nëntor /ATSH/ U luajtën mbrëmjen e sotme dy takimet e tjera të ditës, Skënderbeu – Vllaznia dhe Elbasani – Laçi, të vlefshme për Javën e 10-të të kategorisë “Abissnet Superiore”.
Në Korçë, vendasit u ndalën në një barazim 1-1 nga Vllaznia. Pjesa e parë foli për Skënderbeun. Pas disa rasteve të humbura ishte Bismark (31’) që zhbllokoi takimin për Skënderbeun.
Reagimi i Vllaznisë erdhi në pjesën e dytë, ku në të 67-ën kapiteni Balaj vendosi baraspeshën.
Skënderbeu kishte pretendime për faull te goli i Balajt, ndërsa Vllaznia kërkoi penallti jo vetëm një herë gjatë sfidës. Skuadrat ndanë pikët në fund.
Me këtë fitore Skënderbeu ngjitet në vendin e shtatë me 11 pikë, po aq sa edhe Laçi, ndërsa Vllaznia mbetet në vendin e parafundit me 9 pikë.
Ndeshja tjetër, ajo mes Elbasanit dhe Laçit, e luajtur në “Elbasan Arena”, u mbyll me fitoren e vendasve me rezultatin 2-1.
Trajneri Glen Daja kishte bërë disa ndryshime në formacion, pas mungesave të shumta nga dëmtimet. Heroi për elbasanasit ishte Mazari, i cili përmbysi me një dygolësh golin e Traore (8’), duke barazuar në fillim me një penallti (16’) dhe duke dyfishuar në të 67-tën minutë.
Me këtë fitore Elbasani ngjitet në vendin e katërt me 14 pikë, ndërsa Laçi mbetet në vendin e gjashtë me 11 pikë.
Më herët sot Egnatia fitoi në transfertë përballë Tiranës, duke u shkëputur në krye të renditjes me 24 pikë. Tirana ndodhet në vendin e pestë me 12 pikë.
Të hënën, java do të vijojë me takimin Vora – Dinamo City, në orën 13:30, ndërsa në orën 18:30 do të luhet përballja Teuta – Partizani, që do të mbyllë këtë javë të kampionatit.
Abissnet Superiore, java e 10-të
Tirana – Egnatia, 1-2
AF Elbasani – Laçi, 2-1
Skënderbeu – Vllaznia, 1-1
Vora – Dinamo City, 2 nëntor, 13:30
Teuta – Partizani, 2 nëntor, 18:30
Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
