Elbasani shtang Tiranën në “Selman Stërmasi”

Elbasani triumfon në “Selman Stërmasi” në javën e 27-të të “Abissnet Superiore” duke mposhtur Tiranën me rezultatin 1-0 në një ndeshje që erdhi për shikuesit në ekranin e RTSH1.
Në pjesën e parë, Xhixha dha sinjalin e parë për formacionin bardheblu, ndërsa elbasanasit u përgjigjën me Lokuilin. Megjithatë, në fund është Ze Gomes që tregohet i saktë në finalizim duke përfituar dhe nga një hezitim i mbrojtjes bardheblu për të kaluar Elbasanin në avantazh.
Në pjesën e dytë, Tirana u shfaq më kërkuese, por pa arritur të bëjë si duhet detyrën në metrat e fundit. Në fund të takimit nuk mungon dhe tensioni, por rezultati mbetet i pandryshuar. Elbasani fiton 1-0 dhe ëndërron, Tirana pëson humbjen e katërt radhazi dhe mbetet në zonën e errët të klasifikimit.