Emergjenca e reshjeve, ministri Salla në Durrës: Hidrovoret në kapacitet të plotë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, ka zbritur në terren në qarkun e Durrësit, zonë e cila konsiderohet aktualisht si më e prekura nga vala e reshjeve intensive që ka përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.
Gjatë inspektimit të situatës, ku ishte i shoqëruar nga kolegu Pirro Vengu dhe kryebashkiakja Emiriana Sako, Salla deklaroi se strukturat shtetërore janë në gatishmëri maksimale për menaxhimin e situatës.
Mobilizim total në zonat e rrezikuara
Ministri bëri të ditur se në të gjithë vendin, hidrovoret janë vënë në punë me kapacitet të plotë për të përballuar prurjet e mëdha të ujit.
“Durrësi është qarku më i prekur nga reshjet dhe aktualisht të gjitha strukturat janë në terren me mjete dhe pompa për tërheqjen e ujit nga banesat dhe bizneset,” u shpreh Salla, duke konfirmuar se në disa zona ka nisur tashmë tërheqja e ujit dhe po punohet për normalizimin e situatës.
Reshjet kanë shkaktuar përmbytje të disa hektarëve tokë bujqësore, duke sjellë shqetësim për fermerët e zonës. Lidhur me këtë, Ministri Salla dha garanci se institucionet kanë nisur menjëherë punën për evidentimin e pasojave.
Ministria e Bujqësisë njofton se po bashkëpunon ngushtë me Emergjencat Civile dhe pushtetin vendor për të garantuar funksionimin e infrastrukturës kulluese dhe mbrojtjen e zonave me risk të lartë deri në përfundim të emergjencës.
/rtsh.al/