E Hënë, 2 Nëntor 2026

Energjia, kufizimet do të vazhdojnë

 

Ruli: Kufizimet do vazhdojnë edhe për një javë. OSSH, lajmëroi për drita 24 orë

Pas lajmërimit se nuk do kishte kufizime vjen lajmërimi i ministrit për një shtrirje në kohë të ndërprerjeve

Kufizimet e energjisë do të vazhdojnë edhe për një javë. Prej rreth 10 ditësh, i gjithë vendi po përballet me ndërprerje të energjisë, që arrijnë deri në 5 orë në ditë. Dieta e diel, sipas Operatorit të Shpërndarjes, do të ishte edhe e fundit përsa i përket ndërprerjeve të energjisë elektrike. Por vetëm dy ditë më vonë, ka qenë vetë ministrit i Ekonomisë dhe Energjitikës që ka lajmëruar se kufizimet do të vazhdojnë edhe për një javë tjetër. “Nuk kemi të bëjmë me kufizime të energjisë elektrike për shkak të mungesës së furnizimit, por kemi të bëjmë me ndërprerje që vijnë për shkaqe që lidhen me remontet që po kryhen”, - ka thënë Ruli. Ministri ka garantuar furnizim me energji pasi rezervat e vendit dhe kontrata e importit, sipas tij, krijojnë kushte për të mos vënë kufizime.

***

Ndërprerjet orar dhe pa orar të 10 ditëve të fundit kanë shkaktuar shqetësim për qytetarët, të cilët në këto orare janë edhe pa ujë. Sistemi i pompave kushtëzon këtë sjellje, thuajse për të gjithë ata që nuk kanë një depozitë në katet e sipërme. Të pakta janë ato qytete apo banesa që mund të marrin ujë 24 orë dhe me presion për t’u ngjitur edhe në katet e sipërme.

Por më shumë se kaq, të gjithë janë të shqetësuar për fatin e mëtejshëm të kufizimeve të energjisë. Gjatë këtyre viteve, fillimet e kufizimeve janë shoqëruar ngaherë me një situatë të tillë. Në javët e para, Korporata nuk bën lajmërime për oraret pa drita dhe me drita, ndërsa pasi durimit i ka ardhur fundit, KESH, del dhe publikon oraret e territ. Kjo është ajo që ka ndodhur, por duke i besuar të dhënave të KESH për kontratat e importit dhe prodhimit vendës, viti 2008 duket se nuk do të jetë një histori tjetër errësire.

***

Me anë të një vendimi të marrë gjatë ditës së djeshme, Operatori i Shpërndarjes i ka kërkuar Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare që të falë kamatëvonesat për të gjithë ata që do të paguajnë detyrimet e energjisë elektrike brenda periudhës 13.05.2008-31.12.2008. Bëhet fjalë për rreth 200 milionë dollarë që pritet të arkëtohen nga KESH-i, nëse këta konsumatore paguajnë detyrimin deri në fund të vitit 2008. Me anë të kësaj nisme, KESH duket se kërkon që të mbledhë një borxh të madh që ka vazhduar të thellohet në vite. Nuk dihet se sa do të funksionojë një strategji e tillë, kur Sektori i Shpërndarjes është në prag të privatizimit. Humbjet e KESH nga vjedhjet dhe nga faturat e papaguara, kanë qenë edhe burimi kryesor i krizës së madhe financiare me të cilën është përballur kompania gjatë viteve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›