E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau bashkëshorten, hyn në grevë urie në paraburgim

SHKODËR-Gjykata e Shkodrës ka shtyrë seancën në ngarkim të shtetasit Nikë Prozhmi, akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Sipas burimeve zyrtare të Gjykatës së Shkodrës mësohet se i pandehuri ndodhet nën trajtimin e mjekëve, pasi ai nuk ka pranuar të marrë ushqim për një kohë të gjatë dhe gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rënduar.

Nikë Prozhmi, sipas policisë ka vrarë me mjete të forta gruan e tij, Terezina Prozhmi, por asnjëherë nuk ka pranuar se krimin e ka kryer me bindje, por për vetëmbrojtje.

Sipas akuzës, ngjarja ka ndodhur në datën 16 prill të këtij viti, pas mesnate, në kohën kur fëmijët kanë qenë në gjumë dhe përreth ka qenë qetësi. Për pasojë krimi që ndodhi nuk ka pasur dëshmitarë.

Mësohet se Nikë Prozhmi, i cili deri në përfundim të procesit gjyqësor dhe dhënies së vendimit ndodhet në paraburgimin e Shënkollit në Lezhë, ka refuzuar të marrë ushqim duke nisur një grevë urie. Gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dhe ai është dërguar në Tiranë, ku thuhet se vazhdon të refuzojë marrjen e mjekimit.

Sipas burimeve nga prokuroria, bashkëshorti vrasës pretendon se nuk është e drejtë të gjykohet për vrasje. “Deri në përmirësimin e tij, procesi gjyqësor nuk do të mund të zhvillohet”-, pohojnë burime nga gjykata e Shkodrës.

Pas krimit, kryer me mjete të forta në pjesën e kokës, burri ka deklaruar në polici se është mbrojtur, sepse gruaja ka pasur probleme mendore dhe në mes të natës ka marrë një sëpatë e ka nisur të qëllojë. Por, ekspertët në vendin e krimit nuk kanë gjetur gjurmë të “çmendurisë” së gruas, si ka pretenduar i pandehuri dhe se dera e dhomës së fëmijëve ka qenë e mbyllur që jahstë me çelës. Fakte që kanë bindur policinë për autorësinë e krimit nga ana e Nikë Prozhmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›