E Diel, 1 Nëntor 2026

“Energjia” në tryezën e negociatave, Balluku: Përafrojmë kuadrin tonë rregullator me atë europian

Për shkak të hapjes së negociatave me Bashkimin Evropian, Shqipëria do të ndryshojë ligje dhe rregulla të sektorit energjetik për t’i përafruar ato me ligjet e unionit, ku aspiron të bëhet pjesë.

Kjo sipas zëvedëskryeministres Belinda Balluku do të bëhet në bashkëpunim me Sekretariatin e Energjisë, një organ që ndihmon shtetet të zbatojnë detyrimet që rrjedhin nga Traktati i Komunitetit të Energjisë, ku bën pjesë edhe Shqipëria prej vitit 2005.

“Ne sot ndodhemi në tryezën e negociatave dhe në atë tryezë negociatash roli i Sekretariatit të Energjisë është jetësor. Është një rol i cili nuk mund të zëvendësohet dhe mbi të gjitha ne sot jemi duke bashkëpunuar për të ndryshuar edhe ato kuadre rregullatore të cilat do të na përafrojnë me ligjet e sektorit europian, por nga ana tjetër do të na ndihmojnë edhe për të përmbushur të gjitha ato kërkesa që ka agjenda e gjelbërt”, tha Balluku.

Në 20-vjetroin e Traktaktit të Komunitetit të Energjisë, Balluku theksoi edhe angazhimin e Shqipërisë për të zgjeruar më tej interkonjeksionin me vendet fqinje.

 “Unë uroj shumë në këtë 20-vjetor që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të gjejnë rrugën e tyre sa më të lehtë drejt sigurimit të energjisë, nga ana tjetër sidomos përsa i përket pjesës së interkonjektivitetit që është një çështje e rëndësishme që diskutohet në tavolinat tona, por që nga ana tjetër duhet të bëjmë më shumë, ashtu siç Shqipëria tashmë është e lidhur me Maqedoninë e Veriut, me Greqinë dhe jemi duke punuar intensivisht për një lidhje nën ujore me Italinë”, tha ministrja Balluku.

Belinda Balluku falenderoi Komisionin Europian për mbështetjen e dhënë për Shqipërinë për reformimin e sektorit energjetik. /vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›