E Diel, 1 Nëntor 2026

Enxhi Nasufi zbulon emocionet e rikthimit në Fest 64: Është ëndrra e çdo artisti të fitojë Festivalin e Këngës

Festivali i 64-t i Këngës në RTSH do të mbahet më 17–20 dhjetor në Pallatin e Kongreseve, ku 28 artistë do të konkurrojnë për çmimin e madh dhe përfaqësimin e Shqipërisë në Eurovizion 2026, që këtë vit do të zhvillohet në Vjenë.

Dy netët e para do të jenë konkurruese, nata e tretë do të sjellë traditën e nostalgjisë, ndërsa nata finale do të shpallë fituesin.

E ftuar në emisionin “Në Kohë Reale” në RTSH1, këngëtarja Enxhi Nasufi ndau emocionet e saj për rikthimin në festival, duke u shprehur se pjesëmarrja për të është një përvojë e veçantë, tashmë për herë të katërt. Ajo foli për këngën e saj “Drita”, e cila lindi natyrshëm në studio.

“Është shumë emocion, njerëzit po e dëgjojnë, është eksperienca ime e 4 në festival. Ti thua se unë në festival do të shkojë me këtë këngën dhe ke një plan në kokën tënde. “Drita” është krijuar nga zemra, nga shpirti në studio në piano me Kledin. Me Keldin Bahicin kishim diskutuar që dua të rikthehem. Ne donim të bënim dhe këngë të reja së bashku dhe një mini album që ne po e punojmë por donim dhe festivalin. Unë kisha shumë dëshirë dhe kur u krijua “Dritë” nisi si disa nota në piano, më erdhi menjëherë koncepti, fjalët kryesore që unë doja ti kisha pjesë të këngës por kur është mbyllur demo, aty kam thënë me Kledin: kjo është kënga për festivalin”, u shpreh këngëtarja.

Nasufi theksoi se “Drita” është një histori dashurie për veten, për fëmijën e brendshëm, për nënën e saj dhe për të gjitha gratë që nuk kanë mundur të thyejnë disa cikle në jetën e tyre. Ajo vlerësoi gjithashtu pjesëmarrjen e artistëve të rinj, duke thënë se sjellin energji dhe risi të bukura në festival.

“Kur pashë në listë emra edhe të rinj, kam përshtypjen se shtohet kurioziteti më shumë sepse ti do të kuptosh se çfarë kanë sjellë. Me shumë sinqeritet mendoj që të rinjtë sjellin gjëra shumë të bukura. Kënga është një histori dashurie për veten, për fëmijën tim të brendshëm, për mamanë time, apo për të gjitha gratë e tjera që mbase disa cikle nuk kanë mundur ti thyejnë në jetën e tyre dhe është tipike një këngë dashurie për veten dhe për forcën që ke brenda vetes”, tha ajo.

Këngëtarja pranoi se fitimi i festivalit është një ëndërr për çdo artist. Ajo tregoi se këngën e kishte mbajtur fillimisht sekret, ndërsa reagimet e para nga familja dhe miqtë kanë qenë shumë pozitive.

“Është një nga ëndrrat e çdo artisti që vjen në festivalin e Këngës për ta fituar dhe mbase kalojnë vitet, ke kontribuar pak më shumë në karrierën tënde me shumë dëshirë dhe dashuri nëse e meritoj do ishte shumë bukur. Ka shumë artist që kanë element shumë të bukur në këngët e tyre. Fillimisht këngën e kam mbajtur shumë sekret, mamit ja tregoj gjithmonë gjërat të parës, shoqërisë etj.. Gjëja e parë që më kanë thënë, duke e ditur se unë jam tip energjik, donin një gjë që unë të kërceja shumë por unë prapë kërcej këtu”, theksoi Nasufi.

 Të gjitha këngët mund t’i dëgjoni duke klikuar këtu

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›