“Është një histori dashurie”/ Inis Neziri në Fest ’64: Kënga është pritur shumë mirë, këtë vit prezantim ndryshe

Inis Neziri rikthehet për herë të tretë në Festivalin e Këngës në RTSH. Pas dy baladave, këngëtarja prezantohet në Fest64 me një këngë ethno-pop.
Në studion e emisionit “Në Radio” të Andri Xhahut, Inisi tregon se si lindi kënga. “Kënga ka nisur në muajt e parë të vitit si një projekt solo nga producenti EngliVersal. Gjithmonë e kam pasur si qëllim të bëja një këngë ritmike që të thyeja pritshmëritë e publikut që e ka parë Inisin e baladave dhe këngëve të fuqishme. Kur pashë audicionet që ishin hapur për festival, thashë që kjo mund të jetë një këngë shumë e mirë se përveç pjesës ritmike ka dhe potencën që unë e dua gjithmonë”.
“Ta kam fal” është shkruar nga Inisi në nota e vargje së bashku me EngliVersal dhe Ledio Dara. “‘Ta kam fal (zemrën)’ është një histori dashurie. Të dalim pak pozitiv, se gjithmonë me melankolizma. Për herë të parë mendova të vij me diçka pak më të thjeshtë që njerëzit ta dëgjojnë dhe të kënaqen. Të mos dëgjohet vetëm gjatë festivalit, por të ngelet si këngë”.
Pas pesë viteve mungesë, Inisi dëshiron që edhe performanca skenike të jetë ashtu siç nuk e kemi parë asnjëherë. “Duke qenë se kam dalë gjithmonë vetëm, tani po mbledh forcat dhe po vij me koreografi. Siç nuk e kam parë asnjëherë veten. Është hera e parë që kërcej. Do jem me gjashtë balerinë në skenë. Po përpiqem shumë që të mos zhgënjej publikun se kam parë që këngën e kanë pëlqyer. Dua të kënaqem vetë, të kënaqen dhe ata”.
Sipas saj, reagimet e publikut kanë qenë mjaft pozitive për këngën. “Askush nuk e priste që do vija me një këngë të tillë. Kam pasur komente shumë të mira, si në Shqipëri dhe jashtë, por me thënë të drejtën komente pak më të mira nga të huajt. Më duket sikur shqiptarët, edhe pse kanë qejf të dëgjojnë këngët ritmike, kur vjen puna në festivale duan pak vuajtje. Kam parë disa versione të këngës në anglisht dhe spanjisht. Mund edhe ta konsideroj versionin spanjisht (qesh). Kënga është pritur shumë mirë. Jam shumë e lumtur”, tha këngëtarja.