Lamallari i pranishëm në takimin e ministrave të Drejtësisë të Këshillit të Evropës: Nevojë për instrumente të reja kundër migracionit të paligjshëm

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, mori pjesë në takimin informal të ministrave të Drejtësisë të Këshillit të Evropës, të zhvilluar në Strasburg, ku riafirmoi qëndrimin e Shqipërisë mbi çështjen e migracionit dhe sundimin e ligjit në kontinentin evropian.
Gjatë fjalës së tij, Lamallari theksoi se“Migracioni në vetvete nuk është problem, por keqpërdorimi i tij nga aktorë dashakeqës përbën sfidën e vërtetë që ne duhet ta adresojmë së bashku.”
Ai shtoi se Shqipëria mbështet nismën danezo-italiane, të konkretizuar në Deklaratën e Përbashkët dhe planin me katër pika të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës:
“Ky plan synon të forcojë bashkëpunimin, duke ruajtur njëkohësisht rendin juridik evropian dhe veçanërisht integritetin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”
Ministri Lamallari nënvizoi nevojën për instrumente të reja të Këshillit të Evropës kundër migracionit të paligjshëm dhe rrjeteve kriminale ndërkombëtare:
“Kontinenti ynë ka treguar historikisht se siguria dhe të drejtat e njeriut nuk janë kundërshti, por duhet të ecin së bashku.”
Në përmbyllje, ai theksoi përkushtimin e Shqipërisë për të ruajtur këtë ekuilibër:
“Kjo është balanca që duhet ruajtur, dhe Shqipëria mbetet e përkushtuar ta mbrojë. Ne qëndrojmë krah partnerëve tanë, për një Evropë të bashkuar, të sigurt dhe të udhëhequr nga sundimi i ligjit.”
/rtsh.al/