E Diel, 1 Nëntor 2026

Ethet e garës në Fermën e VIP-ave, publiku do të vendosë sot për fatin e katër fermerëve

Një tjetër fundjavë në “Ferma VIP 2” ka mbyllur një cikël të ngjeshur me ngjarje të papritura, rivalitete të forta dhe momente që kanë ndryshuar rrjedhën e lojës.

Spektakli i mbrëmjes së sotme premton surpriza, ndërsa dhjetë fermerët e mbetur në garë kanë nisur aludimet lidhur me eliminimet apo renditjet e mundshme.

Publiku do të ketë sërish rolin kryesor në vendimimarrje, pasi do të nxjerrë katër më të votuarit, të cilët do të përballen në një sfidë dyshe. Grupi që do të humbasë këtë betejë do të kalojë automatikisht në televotim kokë më kokë për eliminim të premten e ardhshme.

Konkurrentët janë të angazhuar çdo ditë me sfida të ndryshme, që shpesh bëhen vendimtare në këtë pikë të lojës. Këto momente, të cilat testojnë aftësitë e tyre, shtojnë gjithnjë e më shumë ngarkesën emocionale të këtij reality show-i.

Marrja e drejtimit të punëve të fermës nga Andrea, pas zgjedhjes së tij primen e së premtes, ka sjellë reagime të ndryshme në radhët e fermerëve.

Megjithatë, Andrea është treguar i kujdesshëm, duke ndarë detyrat në mënyrë të barabartë dhe të drejtë.

Një tjetër moment kyç i fundjavës ka qenë hapja e kutisë së sekreteve pas sfidës “Fytyra e së vërtetës”, ku janë zbuluar tri defekte të çdo konkurrenti në formë anonime dhe të shkruar në letër. Ky moment ka sjellë tension dhe emocione të reja mes konkurrentëve, duke pasur ndikim të madh në atmosferën e përgjithshme.

Dy të ftuar special kanë ndryshuar rutinën e fermerëve. Agai i cili jo pak herë ka surprizuar konkurrentët, ka sjellë në Ferma Vip dy artizanë të punimit me grep, të cilët kanë dhënë pak nga eksperienca e tyre.

“Ferma VIP 2”, që transmetohet 24 orë në 7 ditë të javës, ka pasur momentet që kanë lëkundur thellë raportet mes VIP-ave dhe kanë zbuluar karakteret e tyre të vërteta.

Publiku ka pasur mundësinë të shohë një pasqyrë të thellë të dinamikës mes konkurrentëve, duke u ofruar kështu një spektakël të plotë dhe emocionues.

Të gjitha zhvillimet e fundit dhe surprizat që do të ndodhin, do të zënë vend në natën e pesëmbëdhjetë të spektaklit, në orën 21:00, në ekranin e Vizion Plus dhe në dy kanalet e dedikuara të platformës Tring./vizionplus.tv

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›