Eurodeputeti bullgar: Shqipëria drejt BE-së në vitin 2030, objektiv plotësisht i arritshëm

TIRANË, 24 tetor/ATSH/ Eurodeputeti bullgar, Andrei Kovaçeviç tha sot se objektivi i Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030 është plotësisht i arritshëm.
Andrei Kovaçeviç, kryetar i delegacionit Bullgar në parlamentin e BE, vizitoi sot Pustecin, teksa u ndal në një prononcim për mediet ku u pyet për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE.
Kovaçeviç, deklaroi se për Shqipërinë është plotësisht i arritshëm objektivi i anëtarësimit në vitin 2030.
“Në këtë situatë të vështirë gjeopolitike në botë, duhet të pranojmë sa më shpejt të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Sigurisht, çdo vend vlerësohet sipas meritave të veta dhe sipas përparimit të reformave. Për këtë arsye, ne i shohim të gjitha vendet në mënyrë të veçantë.
Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet që ndodhen në fazën më të avancuar të integrimit dhe të procesit të negociatave me Bashkimin Europian. Shpresa jonë është që në vitet e ardhshme të mund t’u themi mirëseardhjen si anëtarë të plotë të Bashkimit Europian disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Unë shpresoj që ndër to të jetë edhe Shqipëria”, tha Andrei Kovaçeviç, kryetar i komisionit parlamentar në BE, raporton Top Channel.
Sipas tij, Shqipëria ka potencial të lartë për të përfunduar me sukses procesin e integrimit, por kërkoi që opozita dhe mazhoranca të punojnë së bashku në këtë drejtim.
“Unë e konsideroj Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare si një nga më pro-evropianet dhe euroatlantiket. Mendoj se kur shumica dhe opozita kanë të njëjtin qëllim, të kontribuojnë vërtet në anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Europian, kjo do të bëhet realitet. Pavarësisht mosmarrëveshjeve politike, kjo çështje duhet t’i bashkojë të gjithë dhe, nga ato që kam vëzhguar në parlamentin shqiptar, si qeveria edhe opozita janë të unifikuara në këtë drejtim”, theksoi Kovaçeviç.
Ai nënvizoi nevojën për të kapërcyer ndasitë historike dhe për të ndërtuar marrëdhënie të forta fqinjësore, duke theksuar rëndësinë e lidhjeve ekonomike, tregtare dhe njerëzore mes vendeve të rajonit. “Ballkani duhet të investojë në lidhje infrastrukturore dhe ekonomike. Kufijtë duhet të jenë simbolikë, ashtu si në zonën Shengen”, u shpreh ai, duke shtuar se kjo është plotësisht e realizueshme.
I pyetur në lidhje me pritshmëritë pas zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut, eurodeputeti e vendosi theksin tek përmbushja e disa kushteve.
“Në Maqedoninë e Veriut ndiqen edhe mediet shqiptare. I bëj apel mikut tim, Kristian Mickoski, që pas fitores elektorale dhe pas përfundimit të raundit të dytë për partinë e tij, të lërë pas disa nga parullat e vjetra dhe sa më shpejt të nisin negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ne do t’i mbështesim dhe dëshirojmë anëtarësimin e Republikës së sotme të Maqedonisë së Veriut, ashtu si edhe të Shqipërisë, por çdo vend vlerësohet veçmas, në bazë të përparimit të tij”, tha ai.
Deputeti nga Parlamenti Evropian Dr. Andrej Kovaçev mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Fondacionit “Kujtesa Bullgare” në Pustec ku për të tretin vit radhazi dhe për herë të dytë brenda dy muajsh, mjekë bullgarë kanë kryer vizita mjekësore për vendasit.
Iniciativa, e cila tashmë është shndërruar në traditë, organizohet dhe financohet nga Fondacioni “Kujtesa Bullgare” dhe themeluesi i tij, dr. Milen Vrabevski, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Bullgarisë, si dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë të Shqipërisë.
Në hapjen zyrtare të iniciativës morën pjesë kryetari i Fondacionit “Kujtesa Bullgare”, Dr. Milen Vrabevski dhe Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Bullgarisë në Shqipëri, Ivajllo Kirov.
Mjekët nga Bullgaria do të kryejnë vizita në fushat e mamologjisë, urologjisë, okulistikës, neurologjisë dhe ORL-së. Ekipi drejtohet nga Prof. Ivan Gavrilov – drejtori i repartit të kirurgjisë torakale në Spitalin Universitar Onkologjik “Shën Ivan Çernozemski” në Sofje. Nuk është e rastit se nisma zhvillohet gjatë muajit tetor – muajit rozë të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit – dhe erdhi pas kërkesës së kryetarit të Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski. Në këtë mision marrin pjesë gjithashtu mjekë nga disa prej spitaleve kryesore të Bullgarisë – Spitali Universitar “Shën Ivan Rilski” në Sofje, Spitali Universitar “Shën Ana” në Sofje dhe Spitali “Pulmed” në Plovdiv.
“Ne i mbajmë premtimet tona dhe dua t’ju siguroj se edhe sot jemi këtu për të ofruar ndihmë falas për banorët e bashkisë së Pustecit,” deklaroi para mediave Dr. Milen Vrabevski.
Sipas Dr. Andrej Kovaçev, iniciativa është shembull i shkëlqyer i fqinjësisë së mirë dhe mishëron idenë evropiane të bashkimit.
“Dr. Vrabevski ka investuar mjete të konsiderueshme në këtë bashki me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së njerëzve – e gjithë kjo është në kuadër të përpjekjeve të dy shteteve për të ecur përpara në procesin e integrimit evropian” u shpreh ambasadori i Bullgarisë në Shqipëri, z. Ivajllo Kirov.
Gjatë ceremonisë së hapjes, Prof. Ivan Gavrilov ua dhuroi kishave vendase dhe bashkisë disa ikona të pikturuara posaçërisht për këtë rast në qytetin bullgar Trojan.
Misioni është pjesë e strategjisë së qëndrueshme dhe afatgjatë të Fondacionit “Kujtesa Bullgare” për mbështetjen e minoriteteve bullgare jashtë vendit dhe për të ndihmuar banorët e zonës – jo vetëm me anë të kujdesit shëndetësor, por edhe nëpërmjet arsimit, kulturës, angazhimit social, inkurajimit të vlerave të integrimit evropian.
/a.f/r.e/