Euroja dhe dollari humbin terren në këmbim me lekun

TIRANË, 26 dhjetor /ATSH/ Në tregun e këmbimit valutor vendas, në javën e fundit të muajit dhjetor, euroja dhe dollari amerikan humbën terren në raport me lekun, ndërsa paundi britanik dhe franga zvicerane forcuan pozitat.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha e gjelbër amerikane zbriti me 0,47 lekë dhe këmbehet në vlerën 81,75 lekë nga 82,22 lekë që ishte në fillim të kësa jave. Ndërkohë, euroja zbriti me 0,04 lekë dhe këmbehet me 96,46 lekë.
Paundi britanik fitoi terren gradualisht në fundjavë. Monedha britanike këmbehet me 110,49 lekë nga 110,41 lekë që ishte ditën e hënë.
Ndërkohë, franga zvicerane u forcua gjatë javës 22-26 dhjetor me 0,33 lekë. Franga zvicerane këmbehet me 103, 97 lekë kundrejt 103,64 lekëve që ishte në fillim të kësaj jave.
Në prag të festave të fundvitit, kthimi i emigrantëve sjell flukse të larta të monedhës europiane në treg që shoqërohet me forcim të pozitave të lekut.
Ndërkohë sipas Bankës së Shqipërisë rënia vjetore e kursit të këmbimit valutor mbetet në nivel më të ulëta krahasuar me vitet e kaluara. Kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, kursi i euros me lekun rezulton në rënie me 2,1%. e.xh/j.p/