E Diel, 1 Nëntor 2026

BERLIN – Wadephul: Gjermania nuk do t’i bashkohet forcës paqeruajtëse në Gaza

BERLIN, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Gjermania nuk do të marrë pjesë në një forcë ndërkombëtare stabilizimi (ISF) për zbatimin e planit të paqes për Gazën në të ardhmen e afërt, deklaroi ministri i Jashtëm Johann Wadephul.

Në komentet e publikuara sot, Wadephul  tha ushtarët gjermanë nuk do të jenë pjesë e një force që do të duhej të siguronte mbrojtje konkrete në rast nevoje.

“Shumë njerëz nuk mund ta imagjinojnë praninë e ushtarëve gjermanë në këtë rajon të veçantë”, tha ai.

Gjermania është e gatshme të luajë një rol konstruktiv në strukturat e parashikuara nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, siç është një këshill paqeje.

Megjithatë, Berlini ende nuk ka marrë një ftesë zyrtare për të marrë pjesë në një strukturë të tillë.

Faza e dytë e planit 20-pikësh të paqes të presidentit amerikan Donald Trump parashikon çarmatimin e grupit militant palestinez Hamas dhe krijimin e një force ndërkombëtare stabilizimi.

Dy muaj pas hyrjes në fuqi të armëpushimit, Hamasi ka refuzuar të dorëzojë armët.

“Pasi të kenë nisur konsultimet fillestare me vendet e mundshme kontribuuese me trupa, është i nevojshëm një kuadër politik, përfshirë një arkitekturë sigurie të garantuar nga ISF dhe forcat palestineze të sigurisë”, tha Wadephul.

“Do të ishte e rëndësishme që e gjithë kjo të nisë sa më shpejt”. theksoi ministri i Jashtëm.

“Ne nuk duhet të lejojmë që ndarja aktuale e Gazës, në një pjesë të kontrolluar nga ushtria izraelite dhe një pjesë gjithnjë e më shumë nën kontrollin e Hamasit, të bëhet e përhershme”, paralajmëroi ai./ /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›