Euroja zbret në 93,07 lekë, regjistron nivelin më të ulët historik

TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Monedha europiane vijon të humbasë terren ndaj lekut në tregun vendas, duke u këmbyer sot me 93,07 lekë, ose 0,12 lekë më pak se në fundjavë, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë.
Ky është niveli më i ulët historik i euros në tregun vendas që prej hyrjes së saj në qarkullim si monedhë fizike.
Që nga fillimi i vitit 2026, euro ka humbur rreth 3,8% të vlerës kundrejt lekut, ndërsa krahasuar me nivelin më të lartë historik prej 140,4 lekësh, të regjistruar në shkurt të vitit 2011, monedha europiane tashmë këmbehet rreth 47,5 lekë më pak, duke shënuar një rënie prej rreth 34%.
Rënia e euros ndaj lekut është një tendencë e vërejtur prej vitesh në tregun vendas, ndërsa Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme përmes blerjes së valutës, me synim zbutjen e presioneve të forcimit të lekut.
Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, që nga fillimi i vitit 2024 deri në fund të tremujorit të parë të vitit 2026, banka qendrore ka blerë nga tregu rreth 2,2 miliardë euro.
Vetëm gjatë tremujorit të parë të këtij viti, blerjet e valutës arritën në rreth 140 milionë euro, duke shënuar një rekord për këtë periudhë.
Forcimi i lekut ndaj euros vijon të ndikojë në ekonominë shqiptare, ndërsa ecuria e kursit përcaktohet nga raporti mes kërkesës dhe ofertës për valutë në treg. Flukset nga turizmi, remitancat, investimet e huaja dhe aktiviteti tregtar janë ndër faktorët që ndikojnë në ofertën e valutës në vend.
Përditesimi i fundit: 10.08.2026 12:15:25| Monedha kryesore | Lekë për njësi të monedhës së huaj | |||
|---|---|---|---|---|
| Dollar Amerikan | USD | 80.53 | -0.33 | |
| Euro | EUR | 93.07 | -0.12 | |
| Poundi Britanik | GBP | 108.72 | +0.07 | |
| Franga Zvicerane | CHF | 99.67 | -0.12 | |
| Jeni Japonez (100) | JPY | 50.74 | -0.33 | |
| Dollari Australian | AUD | 56.89 | -0.04 | |
| Dollari Kanadez | CAD | 57.76 | +0.07 | |
| Korona Suedeze | SEK | 8.50 | -0.03 | |
| Korona Norvegjeze | NOK | 8.47 | -0.02 | |
| Korona Daneze | DKK | 12.45 | -0.02 | |
| SDR | SDR | 109.97 | -0.53 | |
| Ari (OZ 1) | XAU | 349742.60 | +573.76 | |
| Argjendi (OZ 1) | XAG | 5162.78 | -61.39 | |
| Juani Kinez (onshore) | CNY | 11.94 | -0.04 | |
| Juani Kinez (offshore) | CNH | 11.94 | -0.05 | |
| Lira Turke | TRY | 1.69 | -0.01 | |
/e.xh/r.e/a.f/