Euroliga në RTSH: Virtus Bologna, humbje surprizë me vendin e fundit në klasifikim

Në mbyllje të javës së 26-të në Euroligë, Lyon ka marrë një fitore deri diku surprizë në fushën e Virtus Bologna me rezultatin 70-80. Italianët u paraqitën pa organizatorin kryesor, Pajola si dhe me dy mungesa të tjera të rëndësishme si Morgan e Diouf. Kjo bëri që në sulm të vuanin shumë dhe që në periodën e parë francezët të krijonin avantazh falë një loje shumë të shpejtë.
Në periodën e dytë avantazhi maksimal për Lyon arriti në 13 pikë dhe Virtus dukej e pashpresë dhe nervoze. Në pushim të ndeshjes trajneri Dusko Ivanovic i Virtus deklaroi se problemet janë 3, pasimet gabim, tabela e pazotëruar dhe sulmi i ngadaltë.
Në fakt për të gjitha këto, lojtarët e Virtus reaguan dhe arritën me një parcial shumë të mirë në pak minuta të thyenin disavantazhin dhe të kalonin dy herë me nga një pikë në avantazh.
Sapo nisi perioda e katërt, Lyon vuri sërish në lojë shpejtësinë që Virtus nuk e përballonte dot dhe menjëherë avantazhi për ta kaloi në 9 pikë. Më tej Vildoza mori faull teknik, ndërsa dy lojtarë u ngarkuan me faulla për Bolognan që po humbiste terren.
Edëards qëndroi thuajse gjithë periodën e katërt në stol dhe italianët nuk arritën të barazonin sërish. Në 3 minuta nga fundi diferenca ishte me 6 pikë, por Lyon e administroi mjaft mirë kohën dhe nuk i dha më asnjë mundësi Virtus që mundet nga vendi i fundit në renditje në shtëpi dhe zbret në vend të 12-të.