Euronews publikon indeksin, Rama: Nga objektiv i një sulmi shtetëror, në numrin 1 të botës për sigurinë kibernetike

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu përgjigj sërish pasditen e sotme zërave kritikë në lidhje me lajmin se Shqipëria renditet e para në botë sa i takon sigurisë kibernetike, sipas një rankimi ndërkombëtar.
Kryeministri solli në vëmendje një artikull në Euronews për lajmin që, siç u shpreh ai, në Shqipëri i mërziti aq shumë sorrat, korbat dhe dështakzemërakët. Në lajmin e gjigandit evropian televiziv, Euronews, nën titullin “Shqipëria e para në botë për sigurinë kibernetike”, vendi përshkruhet si “nga vendi që në vitin 2022 u godit nga një sulm masiv kibernetik i sponsorizuar nga Irani, tek vendi që sot kryeson renditjen globale për sigurinë kibernetike”. Sipas indeksit të publikuar edhe nga Euronews, Shqipëria renditet e para në botë me 98.33 pikë nga 100, përpara fuqive të mëdha teknologjike si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Pikë maksimale për politikat kibernetike, bashkëpunimin ndërkombëtar, arsimin dhe kërkimin, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, analizën e kërcënimeve, mbrojtjen e të dhënave, reagimin ndaj incidenteve, menaxhimin e krizave dhe luftën kundër krimit kibernetik. “Sulmi i vitit 2022 mund të na kishte gjunjëzuar. Ne e kthyem atë në një shtysë për transformim. Rindërtuam kuadrin ligjor, centralizuam mbrojtjen kibernetike, forcuam kapacitetet tona dhe ngritëm partneritete të reja me Bashkimin Europian, Shtetet e Bashkuara dhe kompanitë më të mëdha të teknologjisë”, u shpreh Rama. Dhe sot, vijoi Kryeministri, në një kohë kur Shqipëria digjitale ofron online 95% të shërbimeve publike, kjo mburojë është po aq jetike sa çdo infrastrukturë tjetër strategjike e vendit. “Nga objektivi i një sulmi shtetëror kibernetik, në numrin 1 të botës për sigurinë kibernetike”, përfundoi Rama.