Begaj: Keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen sipas ligjit, mirënjohje zjarrfikësve

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj apeloi sot qytetarët të jenë të kujdesshëm në kushtet e temperaturave të larta që favorizojnë ndezjen e zjarreve ndërsa shprehu solidaritet me zjarrfikësit që luftojnë me flakët.
“Në këto ditë me temperatura të larta, kur shumë zjarre kanë rënë në disa zona të vendit, zjarrfikësit, efektivët e Forcave të Armatosura dhe të gjithë ata që po luftojnë me flakët meritojnë mirënjohjen tonë”, shkroi Presidenti në rrjetet sociale.
“Me guxim, përkushtim dhe sakrificë, ata po mbrojnë jetën, familjet, banesat dhe pasuritë tona. Respekt për çdo zjarrfikës dhe efektiv që po përballet me rrezikun në vijën e parë”, theksoi më tej Begaj. Presidenti vuri në dukje se keqbërësit që i vënë flakën vendit duhet të ndëshkohen ashpër dhe sipas ligjit. “Përballë kësaj situate, secili prej nesh ka një detyrë: të jemi të kujdesshëm, të respektojmë udhëzimet e autoriteteve, të mos rrezikojmë jetën dhe të bëjmë pjesën tonë për të mbrojtur komunitetin, pronën dhe natyrën”, nënvizoi Kreu i Shtetit. “Sot, Shqipëria ka nevojë për solidaritetin dhe përgjegjësinë e të gjithëve”, përfundoi Begaj. Sipas përditësimit më të fundit nga Ministria e Mbrojtjes, gjatë 11 orëve të fundit vijojnë të jenë aktive 10 vatra zjarri.Në operacionet për shuarjen e tyre janë angazhuar 531 forca operacionale dhe 29 mjete, mes tyre 104 efektivë të MZSH-së, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, 120 forca bashkiake/ADZM/shërbimi pyjor, 20 efektivë të Policisë së Shtetit dhe 31 vullnetarë. Nga ajri janë angazhuar 5 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë Air Tractor.