E Diel, 1 Nëntor 2026

Eva Buzo përshkon me not distancën nga Radhima në ishullin e Sazanit

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Avokatja shqiptare Eva Buzo, 38 vjeç, e cila jeton në Australi, ka realizuar një tjetër sfidë në ujërat e Adriatikut ku ka përshkuar me not distancën nga Radhima deri në ishullin e Sazanit.

E shoqëruar fillimisht nga anëtarë të stafit mbështetës dhe ekipit të sigurisë, Buzo vijoi më pas e vetme rrugëtimin e saj në det, duke përshkuar vijën bregdetare të Sazanit, e cila shtrihet në rreth 15 kilometra.

Nuk është hera e parë që Eva Buzo zgjedh Vlorën dhe bregdetin shqiptar për sfidat e saj sportive. Dy vite më parë, ajo tërhoqi vëmendjen e publikut brenda dhe jashtë vendit me një arritje të jashtëzakonshme, kur realizoi udhëtimin e saj me not prej 92 km, që zgjati 34 orë, nga brigjet e Lecces (San Focca), deri në Gadishullin e Karaburunit, ku dhe ka prekur tokën shqiptare në afërsi të Kepit të Gjuhëzës.

Buzo ka lindur në Australi dhe lidhja që ka me Shqipërinë është shumë e fortë, edhe pse nuk flet shqip. Ajo është angazhuar masivisht me problematika sociale, në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ka përvojë pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore dhe Australi, për organizata të ndryshme duke përfshirë World Vision dhe Save the Children.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›