E Hënë, 2 Nëntor 2026

FAO në Shqipëri: Forcojmë partneritetin kombëtar për sigurinë ushqimore

TIRANË, 16 tetor /ATSH/ Lorena Pullumbi, asistentpërfaqësuese e FAO-s në Shqipëri, e cilësoi 16 Tetorin, Ditën Botërore të Ushqimit, një moment kyç për sigurinë ushqimore globale.

Përmes një mesazhi që ndau në rrjete sociale, Pullumbi tha se, “Dita Botërore e Ushqimit, është një festë që kremtohet në mbi 150 vende të botës, por këtë vit merr një domethënie edhe më të veçantë në 80-vjetorin e themelimit të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara (FAO). Tetë dekada më parë, FAO-ja u themelua me një mision të thjeshtë, por thelbësor: t’i sigurojë njerëzimit lirinë nga mungesa”.

“Duke hedhur vështrimin pas, shohim përparime të mëdha nga vendosja e standardeve ndërkombëtare për sigurinë ushqimore, deri te thuajse trefishimi i prodhimit të orizit që nga fundi i viteve 1940. Megjithatë, puna nuk ka mbaruar ende. Siç na kujton drejtori i përgjithshëm i FAO-s, dr. QU Dongyu, zgjedhja që kemi përpara është e qartë: të ecim përpara apo të rrezikojmë të kthehemi pas”, u shpreh ajo.

Sipas saj, tema e këtij viti: “Dorë për dorë për ushqime më të mira dhe një të ardhme më të mirë”, është një thirrje e fuqishme për veprim të përbashkët.

Ajo nënvizoi se transformimi i sistemeve tona agroushqimore, duke i bërë ato më efikase, gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe me aftësi përshtatjeje ndaj ndryshimeve, nuk mund të ndodhë në izolim.

“Përparimi varet nga ajo çka bëjmë së bashku: ndërmjet institucioneve, përtej kufijve dhe brenda komuniteteve tona të vitale të shoqërisë shqiptare”, u shpreh Pullumbi.

Festojmë me heronjtë tanë të ushqimit dhe partnerët

Pullumbi theksoi se, këtu në Shqipëri, jemi dëshmitarë të kësaj fryme bashkëpunimi në veprim.

“Krenohemi që punojmë krah një rrjeti të përkushtuar heronjsh të ushqimit, fermerë shqiptarë, inovatorë vendas, studiues, politikbërës dhe të rinj të përkushtuar, të cilët ngrihen çdo ditë për të fuqizuar prodhimin ushqimor kombëtar, për të përmirësuar ushqyerjen dhe për të mbrojtur mjedisin tonë të çmuar natyror”, tha ajo.

Pullumbi bëri të ditur se, Zyra e FAO-s në Shqipëri është tërësisht e angazhuar në këtë vizion, të cilin e përçon përmes modelit të ‘Katër Më të Mirave’ të FAO-s: Prodhim më i mirë, që fermerët tanë të prodhojnë më shumë me më pak burime; Ushqyerje më e mirë,  duke vënë në qendër cilësinë dhe përballueshmërinë; Mjedis më i mirë, për të ruajtur ekosisteme të shëndetshme; dhe Jetë më e mirë për të gjithë, që komunitetet rurale të lulëzojnë me dinjitet dhe mundësi të barabarta për zhvillim.

Ajo tha se, për të ndërtuar rrugëtimin e përbashkët në këtë drejtim, po bashkojmë me  partnerët tanë institucional dhe aktorët kombëtarë në një aktivitet të veçantë në fermën organike “Fustanella”.

“Ky event, i nderuar me pjesëmarrjen e Ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Koordinatores së Përhershme të OKB-së dhe Përfaqësuesit të FAO-s në Shqipëri, përfaqëson një dëshmi të qartë të unitetit institucional dhe profesionalizmit të ekipit “Një FAO” në vend. Ai shërben si një moment për të vlerësuar punën e palodhur që po bëhet në terren përmes projekteve konkrete, me synimin për të ndërtuar një të ardhme më të qëndrueshme për bujqësinë shqiptare dhe për të forcuar partneritetin kombëtar në fushën e sigurisë ushqimore dhe zhvillimit rural”, theksoi Pullumbi.

Vrapojmë për të drejtën ndaj ushqimit: Bashkohuni me ne!

Pullumbi informoi se kremtimi i këtij përvjetori do të shtrihet përtej sallave të konferencave dhe fushave bujqësore, do të përshkojë rrugët e kryeqytetit.

“Të dielën, më 19 tetor 2025, ekipi i zyrës së FAO-s në Shqipëri do t’i bashkohet Maratonës së Tiranës. Kjo nuk është thjesht një garë; është një angazhim simbolik. Ne do të vrapojmë për një të drejtë themelore njerëzore: të drejtën për ushqim të mirë dhe të qëndrueshëm për të gjithë”, tha ajo.

“I ftojmë të gjithë shqiptarët, partnerët tanë të përkushtuar, kolegët e agjencive të OKB-së, studentët, profesionistët e medias dhe përfaqësuesit e sektorit privat, t’i bashkohen kësaj kauze. Edhe pse pjesëmarrja zyrtare në garë është e kufizuar, lëvizja nuk ka kufij. Bashkohuni me ne shpirtërisht, mbështesni vrapuesit dhe, mbi të gjitha, transformoni marrëdhënien tuaj me ushqimin”, u shpreh Pullumbi.

Ajo deklaroi se, çdo zgjedhje që bëjmë, nga ajo që blejmë e deri te mënyra si reduktojmë mbetjet, është një hap drejt një të ardhmeje më të mirë.

“Le të qëndrojmë apo të vrapojmë krah për krah për t’i dhënë fund urisë dhe për ta bërë ushqimin e shëndetshëm, të larmishëm dhe të përballueshëm një realitet për çdo person në Shqipëri. Bashkohuni me ne në festimin e Heronjve tanë Kombëtarë të Ushqimit dhe në përkrahjen e kësaj kauze jetike”, deklaroi në mesazhin e saj Pullumbi.

/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›