FOKUS – 100 agjenci paralajmërojnë urinë masive që po përhapet në Gaza

GAZA, 23 korrik /ATSH/ – Më shumë se 100 agjenci ndihme, përfshirë ‘’Save the Children’’ dhe ‘’Médecins Sans Frontières’’, kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke dhënë alarmin për atë që ata e quajnë “uri masive” në të gjithë Gazën, shkruan BBC.
“Palestinezët janë bllokuar në një cikël shprese dhe pikëllimi, duke pritur ndihmë dhe armëpushime, vetëm për t’u zgjuar me kushte që përkeqësohen”, thuhet në deklaratë.
Izraeli ka pranuar një rënie të ndjeshme të furnizimeve që arrijnë banorët e Gazës.
Por, zyrtarët e tij thonë se ushqimi është aty – dhe në vend të kësaj i drejtojnë gishtin agjencive të ndihmës për mosshpërndarjen e tij tek njerëzit.
Nga ana e tyre, agjencitë e ndihmës kanë raportuar prej kohësh probleme në koordinimin e kalimit të sigurt me Izraelin për të shpërndarë ndihmën.
Gjatë ditëve të fundit, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka raportuar dhjetëra vdekje të fundit nga kequshqyerja, ndërsa agjencitë thonë se qindra janë vrarë ndërsa kërkonin ndihmë në dy muajt e fundit./ /os/