FOKUS – Aleatët e Ukrainës premtojnë 35 miliardë dollarë ndihmë ushtarake

BRUKSEL, 12 shkurt /ATSH-AFP/ – Aleatët e Ukrainës, të mbledhur në Bruksel, janë angazhuar të sigurojnë rreth 35 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën këtë vit, deklaroi sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey.
Sipas një diplomati të NATO-s, këto shifra përfshijnë angazhime të reja dypalëshe, por edhe premtime të mëparshme nga vendet aleate të Ukrainës, duke përfshirë 11,5 miliardë euro që kishte njoftuar më parë Gjermania.
“Do të intensifikojmë ndihmën ushtarake për Ukrainën. Do të shtojmë presionin ndaj Rusisë”, tha Healey pas një takimi të Grupit të Kontaktit ndërmjet Ukrainës dhe aleatëve të saj në Bruksel.
Në vitin 2025, ky grup kishte mbledhur rreth 45 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën.
“Në 2026, duhet të bëjmë më mirë, duhet të bëjmë më shumë”, deklaroi Healey në fillim të këtij takimi.
Ministri gjerman i Mbrojtje Boris Pistorius, njoftoi se vendi i tij është i gatshëm të dërgojë pesë interceptues të rinj “PAC-3” për mbrojtjen ajrore të Ukrainës, por kjo do të bëhet vetëm nëse vendet e tjera aleate të Ukrainës sigurojnë të paktën njëzet e pesë të tjerë nga ana e tyre.
Megjithatë ai shprehu optimizëm për mundësinë e marrëveshjes së përbashkët.
“Të gjithë e dimë se bëhet fjalë për shpëtimin e jetëve”, kujtoi Pistorius para mediave, pranë homologut ukrainas Mykhailo Fedorov.
Sulmet masive ruse mbi rrjetin energjetik ukrainas kanë shkaktuar ndërprerje të ngrohjes dhe elektricitetit në zona të mëdha të vendit gjatë dimrit të ftohtë.
“Ky është thjesht terror ndaj popullsisë civile ukrainase”, u shpreh Pistorius, duke dënuar përdorimin e dimrit “si një armë ndaj grave, fëmijëve dhe burrave të pafajshëm”.
“Rusët nuk mund të na mundin në terren, dhe për këtë arsye po zhvillojnë sot një luftë kundër infrastrukturës tonë kritike”, shtoi homologu ukrainas.
Gjermania dhe Britania e Madhe janë dy bashkëkryesues të këtij Grup Kontakti, i cili më parë drejtohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. /Ad.Ab./ a.jor.