E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ish-krerët e UÇK të shpallen të pafajshëm, nuk ka asnjë provë kundër tyre

TIRANË, 12 shkurt /ATSh/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e cilësoi akuzën e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së si “pamflet propagandistik të nacionalistëve serbë”.

Në një deklaratë për mediet, Berisha theksoi se pavarësisht hetimeve disavjeçare ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, gjykata nuk ka mundur të paraqesë prova konkrete për të vërtetuar akuzat ndaj tyre.

Kreu i PD-së u shpreh se ish-krerët e UÇK-së me veprimet e tyre kanë shpëtuar mijëra jetë të qytetarëve të Kosovës.

Berisha gjithashtu bëri thirrje gjyqtarëve që të mos vijojnë me akuzat ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit dhe të shpallë pafajësinë e tyre e t’i rikthejnë ata në shtëpitë e tyre në Kosovë.

“Unë  bëj thirrje gjykatësve të kësaj gjykate me gjakftohtësi të hedhin poshtë këtë pamflet propagandistik dhe të shpallin pafajësitë e të akuzuarve, pasi përpjekja për të barazuar agresorin me viktimën Karaxhiçin, Mlladiçi me Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, është një përpjekje që del jashtë çdo lloj krahasimi që mund të bëhet.

“Unë shpreh bindjen se gjykata do të shpallë pafajësinë e tyre. Asnjë krim konkret, asnjë krim i lidhur direkt me asnjërin prej tyre që janë në bankën e akuzës nuk është paraqitur deri tani”, tha Berisha.

Prokuroria ka kërkuar dënim prej 45 vjetësh burg për secilin nga të akuzuarit, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë periudhës mars 1998 – shtator 1999, në disa zona të Kosovës dhe veriun e Shqipërisë. Të katër janë deklaruar të pafajshëm.

Pas deklaratave përmbyllëse, çështja do t’i kalojë trupit gjykues, i cili ka afat tre muaj për të marrë vendim, me mundësinë e zgjatjes së këtij afati.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›