E Martë, 3 Nëntor 2026

FOKUS – BE & BM: Situata në Rripin e Gazës e papranueshme

LONDËR, 19 maj /ATSH-DPA/ – Udhëheqësit e BE-së dhe kryeministri britanik Keir Starmer kritikuan sot ashpër qeverinë izraelite për veprimet e saj në Rripin e Gazës, duke e përshkruar situatën si “të papranueshme”.

Presidenti i Këshillit të BE-së, António Costa, kërkoi që Izraeli të ndalojë operacionet e tij ushtarake, ndërsa i bëri thirrje gjithashtu Hamasit të lirojë menjëherë të gjithë pengjet e mbetura.

Ai theksoi se vetëm një zgjidhje me dy shtete mund të sjellë paqe të qëndrueshme në rajon.

Duke i bërë jehonë vërejtjeve të Costas, presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, riafirmoi qëndrimin e bllokut kur tha se “jemi të bindur se e vetmja zgjidhje është zgjidhja me dy shtete”.

Ajo gjithashtu theksoi se ndihma humanitare për civilët nuk duhet të politizohet kurrë.
Starmer tha se situata në Gaza ishte “vërtet serioze, e papranueshme, e patolerueshme”, duke shtuar se diskutimet ishin duke u zhvilluar në nivelin e krerëve të shteteve për të gjetur një zgjidhje.

Udhëheqësit po i përgjigjeshin një pyetjeje në një konferencë për shtyp në Londër nëse situata në Gaza mund të klasifikohej si gjenocid.

Komentet e tyre pasuan planet e konfirmuara të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se qeveria e tij po ndiqte një pushtim të plotë të rripit bregdetar.

Disa ditë më parë, Izraeli nisi një ofensivë të madhe me sulme ajrore masive dhe vendosjen e trupave tokësore./ /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›