FOKUS – BH dhe Kroacia projekt për gazsjellës të ri, mbështetur nga SHBA

DUBROVNIK, 28 prill /ATSH-AFP/ – Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina nënshkruan sot në Dubrovnik një marrëveshje për ndërtimin e një interkonektori të rëndësishëm gazi, të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili pritet t’i mundësojë Sarajevës të ulë varësinë energjetike nga Rusia, furnizuesi i vetëm aktual i gazit për vendin, njoftoi kryeministrja bosnjake, Borjana Krishto.
Ky gazsjellës, i quajtur Interkoneksioni Jugor i Gazit, do të lidhë rrjetin boshnjak me një terminal të gazit natyror të lëngshëm (GNL) në ishullin Kërk në Kroaci, ku mbërrijnë sasi të konsiderueshme gazi amerikan si dhe me rrjetin evropian.
Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë intensifikuar përpjekjet diplomatike kohët e fundit për të përshpejtuar këtë projekt, furnizojnë me sasi të konsiderueshme gazi terminalin e Kërkut, në ishullin verior të Adriatikut kroat.
Në BH kjo ndërlidhje është pjesë e një projekti më të gjerë energjetik, me vlerë rreth 1,5 miliardë dollarë (1,3 miliardë euro), i cili parashikon ndërtimin e një rrjeti prej rreth 200 kilometrash gazsjellësish, së bashku me disa termocentrale që funksionojnë me gaz.
Projekti do të zbatohet nga kompania amerikane “AAFS Infrastructure and Energy”, e drejtuar nga Joseph Flynn, vëllai i gjeneralit Michael Flynn, këshilltar për sigurinë kombëtare gjatë mandatit të parë të Donald Trump, si dhe nga Jesse Binnall, ish-avokat i presidentit amerikan.
Organizatat mjedisore, që kundërshtojnë zhvillimin e sektorit të energjive fosile, e kanë kritikuar projektin, në një vend ku rreth dy të tretat e nevojave për energji elektrike mbulohen nga termocentralet me qymyr.
Ndotja e ajrit, veçanërisht gjatë dimrit, prek shumicën e qyteteve të mëdha.
Detajet mbi fillimin e punimeve të ndërtimit ende nuk janë bërë publike.
Sipas drejtorit të “AAFS” në Bosnje, Amer Bekan, punimet pritet të nisin “brenda një periudhe prej dy deri në gjashtë muajsh pas marrjes së të gjitha lejeve”.
Sipas tij, kapaciteti maksimal vjetor i ndërlidhjes së re do të arrijë në 3,0 miliardë metra kub gaz./ /Ad.Ab./ a.jor.