FOKUS – BM dhe NATO forcojnë mbrojtjen e Arktikut, ndërsa Trump rrit presionin ndaj Groenlandës

LONDËR, 11 janar /ATSH-DPA/- Britania e Madhe po punon me aleatët e NATO-s për të forcuar sigurinë në Arktik, tha sot një ministër i kabinetit pas raportimeve se trupat britanike mund të dërgohen në Groenlandë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka këmbëngulur se dëshiron kontroll mbi Groenlandën dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për të pushtuar territorin gjysmë-autonom danez.
Ministrja britanike e Transportit, Heidi Alexander, tha se diskutimet rreth sigurimit të Veriut të Epërm kundër Rusisë dhe Kinës ishin pjesë e “punës së zakonshme” të NATO-s dhe jo një përgjigje ndaj kërcënimit ushtarak amerikan.
“Sunday Telegraph” raportoi se shefat ushtarakë po hartojnë plane për një mision të mundshëm të NATO-s në Groenlandë, i cili mund të përfshijë ushtarë, anije luftarake dhe avionë britanikë që do të dislokohen në ishull.
Por Alexander tha se Britania e Madhe ishte dakord me presidentin amerikan, Donald Trump se Rrethi Arktik po bëhej një pjesë gjithnjë e më e kontestuar e botës me ambiciet e presidentit rus Vladimir Putin dhe Kinës.
“Ndërsa nuk i kemi parë pasojat e tmerrshme në atë pjesë të botës që kemi parë në Ukrainë, është me të vërtetë e rëndësishme që të bëjmë gjithçka që mundemi me të gjithë aleatët tanë të NATO-s për të siguruar që të ndërtojmë një pengesë efektive në atë pjesë të globit kundër Putinit.
Trump tha se dëshiron të marrë kontrollin mbi Groenlandën, e cila ka një vendndodhje strategjike dhe burime natyrore.
“Nëse nuk e bëjmë në mënyrën e lehtë, do ta bëjmë në mënyrën e vështirë”, tha Trump.
Por ish-ambasadori i BM-së në SHBA, Peter Mandelson, tha se nuk besonte se Trump do të përdorte ushtrinë kundër një aleati të NATO-s.
“Presidenti Trump nuk do të zbarkojë në Groenlandë, dhe ta marrë Groenlandën me forcë”, tha ai.
“Ajo që do të ndodhë është se do të ketë shumë diskutime, shumë konsultime, shumë negociata dhe në fund të ditës, të gjithë do të duhet të zgjohemi ndaj realitetit se Arktiku ka nevojë të sigurohet kundër Kinës dhe Rusisë”, theksoi Mandelson. //a.i/