Operacion kërkim-shpëtimi për gjetjen e të riut pas aksidentit në Klos

TIRANË, 11 janar/ATSH/ Polumbarët e Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe Forcat e Armatosura janë angazhuar në një operacion kërkim-shpëtimi për gjetjen e të riut që dyshohet se u mor nga rrjedhja e lumit Mat në Klos ditën e djeshme.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu u shpreh se polumbarët e Regjimentit të Operacioneve Speciale dhe 22 efektivë të Forcave të Armatosura po vijojnë pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e të riut që dyshohet se u mor nga rrjedha e lumit Mat pas një aksidenti me makinë.
Vengu tha se “me ndihmën e dronëve dhe pajisjeve të specializuara, çdo metër terreni po kontrollohet, nga ura e Darsës në Klos deri në bashkinë e Matit”.
Ngjarja e rëndë u shënua gjatë natës së djeshme në Klos, ku një automjet tip “Audi” me targa angleze doli nga rruga dhe ra në përroin e fshatit Dars.
Pas aksidentit, drejtuesi i mjetit, 24-vjeçari me iniciale A. L., u largua nga vendngjarja pa njoftuar policinë dhe pa i dhënë ndihmë pasagjerit që ndodhej me të në makinë.
Policia arriti ta identifikonte dhe ta arrestonte të riun pak kohë pas ngjarjes.
Situata mbetet kritike për pasagjerin e mjetit, shtetasin J. K., 30 vjeç, për të cilin vijojnë prej orësh kërkimet e specializuara.
/e.i/j.p/