FOKUS – Bahreini dhe Katari interceptojnë raketa dhe dronë iranianë

MANAMA/DOHA, 10 mars /ATSH/ – Bahreini dhe Katari njoftuan sot se kanë interceptuar raketa të reja balistike të lëshuara nga Irani, ndërsa tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të përshkallëzohen në kuadër të konfliktit rajonal, sipas AP.
Ministria e Mbrojtjes e Bahreinit deklaroi se vendi po vazhdon të përballet me ato që i quajti “sulme terroriste të rënda” nga Irani, të cilat sipas saj kanë pasur në shënjestër infrastrukturën civile dhe pronën private.
Sipas autoriteteve të Bahreinit, sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit kanë interceptuar deri tani 105 raketa balistike dhe 176 dronë që nga fillimi i luftës.
Bahreini është një nga aleatët kryesorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon dhe strehon selinë e Flotës së Pestë të Marinës amerikane, duke e bërë vendin një pikë strategjike në arkitekturën e sigurisë së Gjirit.
Ndërkohë, Katari njoftoi se ka interceptuar pesë raketa balistike iraniane të lëshuara sot pasdite. Autoritetet në Doha thanë se nuk ka pasur viktima apo dëme materiale nga incidenti.
Zhvillimet e fundit tregojnë se konflikti po shtrihet gjithnjë e më shumë në rajon, duke përfshirë shtete të tjera të Gjirit dhe duke rritur frikën për një përshkallëzim më të gjerë në Lindjen e Mesme. /Ad.Ab./