“Paketa e Maleve” rrit interesin për investime në Shijak, 21 aplikime në dy muaj

TIRANË, 10 mars/ATSH/ Bashkia e Shijakut po shënon rritje të interesit për investime në zonat rurale në kuadër të programit qeveritar “Paketa e Maleve”.
Sipas të dhënave të bëra publike, vetëm gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar 21 aplikime për projekte zhvillimi në territorin e kësaj bashkie.
Pjesa më e madhe e aplikimeve, konkretisht 17 prej tyre, i përkasin sektorit të agroturizmit dhe parashikojnë ngritjen e strukturave pritëse për turistët, si vila druri dhe ambiente të dedikuara për mikpritjen e vizitorëve që synojnë të eksplorojnë natyrën dhe traditat e zonës.
Ndërkohë, aplikimet e tjera lidhen me investime në sektorë të ndryshëm të bujqësisë, përfshirë blegtorinë, pemëtarinë dhe aktivitete të tjera prodhuese, të cilat pritet të kontribuojnë në zhvillimin e ekonomisë lokale dhe në fuqizimin e potencialit rural të Bashkisë Shijak.
Në funksion të transparencës së procesit, të gjitha aplikimet do të afishohen për një periudhë 45-ditore në njësitë administrative përkatëse dhe në rrjetet sociale, për të mundësuar verifikimin e statusit juridik dhe shqyrtimin e çdo pretendimi nga palët e interesuara.
Pas përfundimit të kësaj faze, projektet do t’i nënshtrohen shqyrtimit dhe miratimit në Këshillin Bashkiak, për të vijuar më tej me procedurat e zbatimit.
Sipas vlerësimeve paraprake, investimet që pritet të realizohen në kuadër të këtyre aplikimeve arrijnë rreth 10 milionë euro, duke reflektuar besimin në rritje të sipërmarrësve dhe fermerëve për zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale të Shijakut. /j.p/