FOKUS – Çmimi i naftës rritet sërish, armëpushimi SHBA–Iran mbetet i brishtë

LONDËR, 9 prill /ATSH-DPA/- Çmimi i naftës u rrit sërish sot, pas një rënieje të fortë një ditë më parë, ndërsa armëpushimi në konfliktin mes SHBA-së dhe Iranit shihet ende i paqëndrueshëm dhe Ngushtica e Hormuzit mbetet kryesisht e pakalueshme për shumicën e anijeve.
Një fuçi (159 litra) naftë bruto “Brent” për dorëzim në qershor tregtohej 97,24 dollarë në orët e para të mëngjesit, me një rritje prej 2,6% krahasuar me një ditë më parë.
Çmimet shënuan një rënie në rreth 90 dollarë për fuçi, niveli më i ulët që nga mesi i marsit, pas njoftimit të armëpushimit dyjavor mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit.
Edhe çmimi i naftës amerikane West Texas Intermediate (WTI) për dorëzim në maj shënoi rritje gjatë mëngjesit të sotëm.
Aktualisht, çmimet e naftës mbeten treguesi kryesor për shqetësimet mbi inflacionin dhe rritjen ekonomike në tregjet globale.
Ndërkohë, pas sulmeve ajrore të Izraelit në Liban, Irani ka kërcënuar se mund të tërhiqet nga armëpushimi i sapo arritur me SHBA-në.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi në rrjetin X se SHBA-ja duhej të zgjidhte mes armëpushimit ose vazhdimit të luftës përmes Izraelit.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi për përshkallëzim të ri ushtarak ndaj Iranit nëse nuk arrihej një marrëveshje gjithëpërfshirëse. //a.i/